Parakalim në mbështetje të grave të prekura nga kanceri i gjirit në Kosovë

  • Leonat Shehu

Grupe qytetarësh e përfaqësues institucionesh vendëse e ndërkombëtare u mblodhën të enjten në një parakalim në qendër të Prishtinës, i cili synon ngritjen e shkallës së ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit.

Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita”, e cila organizon këtë parakalim çdo tetor, tha se po bëhen përpjekje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit gjithandej Kosovës.

“Sot rreth 450 raste të reja që zbulohen në vit por edhe një numër i madh i grave që mbijetojnë ndër vite kanë fat në fatkeqësinë e sëmundjes sepse diagnostifikohen dhe trajtohen në shërbimet tona publike nga personel profesional e humanist pranë familjeve. Edhe pse ka shumë vend për përpërmirës të kushteve, me më shumë staf, barëra të reja e aparaturë”, tha zonja Latifi.

Pjesëmarrësit bënë thirrje për krijimin e kushteve që gratë të kontrollohen vazhdimisht meqë zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ofron mundësi më të mëdha për shërimin e saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky parakalim bëhet në shejë kujtimi për gratë e mbijetuara dhe ato që kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit.

“Hapat që po bëjmë sot dëshmojnë mobilizimin kundër kësaj të keqeje por edhe shpresën për një të ardhme ku kanceri nuk përbën më kërcënim për jetët tona. Zbulimi i hershëm është mbijetesë siç e themi gjithnjë sepse është jë realitet tashmë i dëshmuar edhe nga shkenca por është edhe kujtesë në funksioon të jetëgjatësisë prandaj nuk duhet lejuar që vonesa të jetë opsion”, tha presidentja Osmani.

Sipas të dhënave nga klinika e Onkologjisë që nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajit shtator janë regjistruar më shumë se 300 raste të reja me kancerin e gjirit ndërsa deri në fund të vitit ky numër mund të shkojë në mbi 460 raste që është një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me një vit më parë kur janë diagnostikuar 450 raste të reja.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat.