G-7 përdor fondet e ngrira të Rusisë për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 50 miliardë dollarësh

Zaporizhia, Ukrainë - 21 tetor 2024

Ukraina do të marrë një kredi prej 50 miliardë dollarësh nga grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara, të mbështetur nga fondet e ngrira ruse, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën. Dhënia e kredisë do të fillojë deri në fund të vitit, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët thanë se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë 20 miliardë dollarë.

Udhëheqësit e demokracive më të zhvilluara ranë dakord në fillim të këtij viti për një hua të madhe për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj përballë agresionit të Rusisë. Interesi i fituar nga fondet e ngrira të bankës qendrore të Rusisë do të përdoret për të mbështetur kredinë.

"Një gjë e tillë nuk është bërë ndonjëherë më parë", tha Daleep Singh, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për ekonominë ndërkombëtare.

"Asnjëherë më parë një koalicion shumëpalësh nuk ka ngrirë pasuritë e një vendi agresor dhe më pas ka shfrytëzuar vlerën e atyre fondeve për të financuar mbrojtjen e palës së dëmtuar, duke respektuar sundimin e ligjit dhe duke ruajtur solidaritetin."

Në një ceremoni të mërkurën në Uashington, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe ministri i financave i Ukrainës, Sergii Marchenko, planifikuan të jepnin garanci me shkrim se kredia e Shteteve të Bashkuara do të paguhet nga të ardhurat e pasurive të ngrira ruse, jo nga taksapaguesit amerikanë.

"Rusia po paguan për këtë mbështetje", tha zonja Yellen në një konferencë për shtypin të hënën.

Zoti Singh tha se administrata e Presidentit Biden synon të ndajë pjesën e Shteteve të Bashkuara prej 20 miliardë dollarësh në kuadër të ndihmave amerikane për ekonominë dhe ushtrinë e Ukrainës. Duhet miratimi i Kongresit për të dërguar ndihmë ushtarake dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se armët dhe pajisjet që premtohen tani mund të duhen javë ose muaj që të mbërrijnë në Ukrainë.

30 miliardë dollarë shtesë do të vijnë nga Bashkimi Evropian, Britania, Kanadaja dhe Japonia.

Ideja e përdorimit të pasurive të ngrira të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën u ndesh në fillim me rezistencë nga zyrtarët evropianë për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin që kjo mund të ketë mbi stabilitetin ligjor dhe financiar.

Masa nisi të merrte mbështetje pas më shumë se një viti negociatash mes zyrtarëve të financave dhe pas nënshkrimit nga Presidenti Joe Biden në prill të një ligji që e lejoi qeverinë amerikane të sekuestronte afërsisht 5 miliardë dollarë të fondeve shtetërore ruse në Shtetet e Bashkuara.

G7 njoftoi në qershor se pjesa më e madhe e kredisë do të mbështetej nga interesi i fituar nga afërsisht 260 miliardë dollarë të pasurive të ngrira ruse. Shumica dërrmuese e atyre fondeve mbahen në vendet e BE-së.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ngrinë të gjitha pasuritë e bankës qendrore ruse në të cilat kishin qasje menjëherë pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Moskës ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Koha e njoftimit të kredisë është vënë në pikëpyetje, sepse ajo vjen rreth dy javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Kandidati republikan Donald Trump dhe kandidatja demokrate Kamala Harris kanë qëndrime të ndryshime mbi kërcënimin nga Rusia.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin hodhi poshtë sugjerimet se ndihma ushtarake për Ukrainën e miratuar nga administrata e Presidentit Biden tani mund të pezullohet nga çdo ekip i ri që do të vijë në pushtet.

"Mendoj se jemi shumë të sigurt se kjo ndihmë do të vazhdojë", tha zoti Austin, duke shtuar se ai ka besim se e gjithë ndihma do të dërgohet "në afatin e parashikuara kohor".

Sipas vlerësimit më të fundit të Bankës Botërore të dëmit që ka pësuar Ukraina në luftën me Rusinë, të publikuar në shkurt, për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit duhen 486 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.