O’Brien: Asociacioni nuk krijon një shtresë tjetër të pushtetit në Kosovë

  • Leonat Shehu

Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha të hënën se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër të pushtetit.

“Por është një mekanizëm për bashkërenditje, siç e shohim në Italinë Veriore apo në ishujt e Suedisë apo në Belgjikë”, tha zoti O’Brien në një intervistë me Kanalin 10 në Prishtinë.

Zoti O’Brien, i cili të hënën u takua për më shumë se dy orë e gjysmë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se Shtetet e Bashkuara herë pas here kanë mospajtime me qeverinë e Kosovës që lidhen me mungesën e bashkërendimit, por sipas tij, kjo ndodh mes miqve.

“Duam që të kemi më shumë bashkërendim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-s. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim i tillë”, tha zoti O’Brien.

Lexoni edhe këtë James O’Brien në Prishtinë për të nxitur zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore

për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel, vazhdimi i të cilave pritet këtë javë në nivel kryenegociatorësh.

O’Brien dhe Hovenier përkujtojnë ambasadoren e parë amerikane në Kosovë

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit James O'Brien, mori pjesë në një ceremoni përkujtimore në ambasadën amerikane në Prishtinë, në nderim ambasadores së parë amerikane në Kosovë Tina Kaidanow, e cila vdiq më 16 tetor në moshën 59 vjeçare.

Zoti O’Brien dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier mbollën një dru në oborrin e ambasadës në kujtim të ambasadores Kaidanow.

“Ky dru do të qëndrojë si simbol i trashëgimisë së saj, duke na kujtuar përkushtimin e saj të palëkundur në rrugëtimin e Kosovës drejt paqes, demokracisë dhe pavarësisë” shkroi ambasadori Hovenier në platformën X.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tha se dëshiron që edhe Kosova edhe Serbia të zbatojnë plotësisht zotimet e marra me marrëveshjen e një viti më parë.

“Dhe Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet që të ketë një zgjidhje politike përgjatë viteve të ardhshme lidhur me Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit. Kjo është mënyra për të ecur përpara”, tha zoti O’Brien.

Ai tha se nëse do të ketë ngecje në dialog, të dyja vendet do të humbasin mundësitë për vendin e tyre.

“(Albin) Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, tha ai.

Zoti O’Brien tha se gjatë ditës në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka biseduar “se si të ecet më shpejt drejt Evropës”.

Zoti O’Brien arriti në Prishtinë nga Beogradi në një përpjekje të re për të nxitur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Në një komunikatë të qeverisë së Kosovës thuhet se është diskutuar edhe rreth marrëdhënieve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

Në komunikatë citohet kryeministri Albin Kurti të ketë thënë se “nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak shkroi në rrjetet sociale se është duke u përgatitur për takimin e radhës që pritet të mbahet këtë të enjte dhe sipas tij tani është koha për të filluar zbatimin me zell të marrëveshjeve të arritura në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.