Rezultat i ngushtë i referendumit në Moldavi për anëtarësimin në BE

  • VOA

Rezultatet e referendumit në Moldavi për ndryshimin e kushtetutës dhe përkushtimin për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, është shumë i ngushtë sipas të dhënave zyrtare.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me mbi 98 për qind të votave të numëruara deri në mëngjesin e së hënës, Po kanë votuar 50.08 për qind, ndërsa Jo 49.92 për qind e votuesve.

Edhe nëse rezultati mbetet i pandryshuar kur po numërohen votat e fundit, ai është larg nga miratimi i fuqishëm i rrugës pro-BE që Presidentja Maia Sandu ka ndjekur gjatë katër viteve në krye të ish-republikës së vogël sovjetike, që luhatet për dekada të tëra mes Rusisë dhe Perëndimit.

Në zgjedhjet presidenciale, të cilat u zhvilluan njëkohësisht, zonja Sandu fitoi 42 për qind të votave, ndërsa ish-prokurori i përgjithshëm Alexandr Stoianoglo 26 për qind, duke i hapur rrugën një balotazhi të ashpër me 3 nëntor.

Të dyja proceset e votimit që u zhvilluan pas një sërë akuzash për ndërhyrje nga jashtë, u panë si një sprovë e aspiratave të kombit të Evropës Juglindore për t'u përkushtuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke u larguar nga orbita e Moskës përgjithmonë.

Moldavia e udhëhequr nga zonja Sandu, filloi procesin e gjatë të bisedimeve zyrtare të anëtarësimit në qershor, me synimin që të bashkohet me bllokun deri në vitin 2030.

Rivali i saj, Stoianoglo, ka thënë se nëse merr pushtetin do të zhvillojë një politikë të jashtme "të ekuilibruar" që përfshin lidhjet me BE-në, Rusinë, Shtetet e Bashkuara.

Në orët e para të së hënës, zonja Sandu iu drejtua qytetarëve të Moldavisë, duke përmendur "prova të qarta" se ishte synuar blerja e 300,000 votave nga grupet kriminale të mbështetura nga jashtë, duke e cilësuar këtë "një mashtrim në shkallë të pashembullt”

"Synimi i tyre ishte të dëmtonin një proces demokratik. Synimi i tyre ishte të përhapnin frikë dhe panik në shoqëri... Ne po presim rezultatet përfundimtare dhe do të përgjigjemi me vendime të fuqishme", tha ajo.

Ndërsa rezultatet e para dolën vonë të dielën, rreth 57 për qind e moldavëve fillimisht dukej se kishin votuar "jo" në referendum. Ndërsa numëroheshin më shumë fletë votimi, vota "po" u rrit gradualisht, duke tejkaluar votën "jo" herët në mëngjesin e së hënës.

Analisti politik Valeriu Pasha tha se vota "po" u rrit vetëm për shkak të pjesëmarrjes jashtëzakonisht të lartë të votuesve nga diaspora moldave, e cila kryesisht mbështet integrimin në BE.