Ofensiva izraelite në Liban shton frikën e Turqisë për një eksod të ri refugjatësh

  • Dorian Jones

Ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën në Liban, Kombet e Bashkuara thonë se rreth 400 mijë njerëz kanë kërkuar strehim në Siri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, njofton nga Stambolli se Turqia po përgatitet për një eksod të ri ndërsa rriten shifrat e atyre që largohen nga Libani.

Your browser doesn’t support HTML5

Ofensiva izraelite në Liban shton frikën e Turqisë për një eksod të ri refugjatësh

Ofensiva izraelite në Liban ka bërë që shumë njerëz të largohen drejt Sirisë fqinje. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 250 mijë njerëz janë larguar, shumë prej të cilëve sirianë që kishin gjetur strehë në Liban pas shpërthimit të luftës civile në vendin e tyre.

Vazhdimi i luftimeve mund të rrisë numrin e refugjatëve drejt Sirisë dhe Turqisë, duke shkaktuar një krizë humanitare, thotë për Zërin e Amerikës, Metin Corabatir, me Qendrën Kërkimore për Azil dhe Migrim me seli në Ankara.

“Nuk po flasim vetëm për refugjatët sirianë që kthehen në Siri, por popullsia libaneze po kalon kufirin drejt Sirisë. Siria ose do të mbyllë kufijtë ose do t'i detyronte refugjatët të shkonin në veri, drejt kufirit turk. Kjo do të shkaktonte një situatë katastrofike për njerëzit”.

Të larguarit nga Libani kanë filluar të mbërrijnë në kampet e refugjatëve në Sirinë verilindore, pranë kufirit me Turqinë. Kampi Washokani u krijua për refugjatët e luftës civile siriane, por zyrtarët thonë se janë të mbingarkuar.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Abdulrazak Muhammad, administrator i kampit të refugjatëve Washokani.

“Jemi të detyruar t'i pranojmë sepse janë refugjatë që ikën nga lufta dhe nuk kanë ku të shkojnë. Nuk ka mbetur asnjë tendë, nuk mund të marrim asnjë person më tepër”.

Por Turqia fqinje me rreth 4.5 milionë refugjatë, mes tyre mbi 3 milionë sirianë, po përballet me shtimin e kundërshtive të popullit mbi praninë e refugjatëve.

Shtimi i tensioneve në fillim të vitit çoi në dhunë ndaj refugjatëve. Analisti Metin Corabatir thotë se situata e refugjatëve është bërë një barrë e madhe politike për qeverinë.

“Gjatë dy zgjedhjeve e fundit është debatuar shumë për çështjen e azilit. Opozita ishte shumë aktive për të formuar tek publiku një perceptim negativ ndaj refugjatëve”.

Ankaraja ka ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Sirinë, një përpjekje për të parandaluar hyrjen e refugjatëve të tjerë në Turqi. Analistët thonë se qeveria është e vendosur të parandalojë një eksod të ri nga lufta e fundit në Lindjen e Mesme.

Murat Aslan është me Fondacionin SETA për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale, një institut pro qeveritar.

“Turqia nuk dëshiron valë të tjera refugjatësh, sepse Turqia po përjeton një krizë ekonomike dhe po përpiqet ta rregullojë situatën. Aktualisht inflacioni është nën kontroll dhe presim që të ulet. Kështu që një valë refugjatësh do të shtonte shpenzimet, do të rriste inflacionin dhe të sillte pasiguri shoqërore. Pra, kjo është arsyeja pse Turqia nuk do të tolerojë një valë tjetër refugjatësh”.

Por ky qëndrim mund të vihet në provë nëse Izraeli vazhdon ofensivën, duke shkaktuar më shumë refugjatë dhe njëkohësisht mundësinë që Turqia të përballet me një krizë humanitare në kufijtë e saj.