Emigrantët e parë që mbërritën në Shqipëri, rikthehen në Itali

Dymbëdhjetë emigrantët e parë që u vendosën në qendrën e sapohapur të përpunimit të dokumenteve për azil në Gjadër të Shqipërisë, u rikthyen në Itali pas një vendimi të marrë të premten nga një gjykatë në Romë.

Vendimi shënon goditjen e parë ndaj një marrëveshjeje pesëvjeçare mes Italisë dhe Shqipërisë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka cilësuar marrëveshjen një "model" të ri në trajtimin e çështjes së migracionin të paligjshëm.

Por Gjykata e Romës e hodhi poshtë vendimin për ndalimin e 12 emigrantëve, duke argumentuar se ata nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, në Bangladesh apo Egjipt, duke i konsideruar ato si vende jo të sigurta.

Italia ka pranuar të mirëpresë emigrantë që do t'u jepet azil, ndërsa ata të cilëve u refuzohen aplikimet, përballen me deportim direkt nga Shqipëria.

Një anije e marinës italiane mori 12 emigrantë nga porti i Shëngjinit, të cilët mbërritën atje këtë javë. Më parë katër migrantë u kthyen mbrapsh nga personeli i qendrës, 2 për arsye shëndetësore dhe dy sepse ishin të mitur.

Sipas ligjit italian vendimet mbi të cilin është ndaluar çdo emigrant duhet të shqyrtohet nga gjykatat speciale të migracionit.

Zonja Meloni kritikoi vendimin e gjykatës duke shtuar se konsiderimi i vendeve të tilla si Bangladeshi dhe Egjipti si të pasigurta, do të thotë që gjithë emigrantët do të pengohen të bëhen pjesë e programit me Shqipërisë, duke e bërë atë të praktikisht të pazbatueshëm.

Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha se qeveria do ta apelojë vendimin.

Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi për në Liban, zonja Meloni tha se do ta diskutonte këtë çështje gjatë një mbledhje me kabinetin e saj të hënën.