Vetëm disa javë para ditës së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, siguria kufitare vazhdon të jetë në qendër të debateve.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros ishte në shtetin e Arizonës ku bisedoi me dy agjentë të Patrullës Kufitare amerikane dhe një eksperte të migracionit dhe sjell pikëpamjet e tyre mbi njërën nga çështjet kryesore për votuesit amerikanë.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Arizona, kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës kalon nëpër shkretëtirën Sonoran, një mjedis i rrezikshëm për emigrantët.
“Pengesa e parë është terreni në përgjithësi, sidomos këtu në Tucson, është shumë i vështirë. Pastaj, nxehtësia rrit rreziqet e udhëtimit”, thotë për Zërin e Amerikës Martin Whelan, agjent i Patrullës Kufitare amerikane.
Ai shton se sfidë për emigrantët është muri kufitar, por edhe disa pengesa të tjera më pak të dukshme.
“Ne përdorim teknologjinë e kamerave, atë të sensorëve dhe reagimin tonë të shpejtë për të ndërhyrë kur dikush kalon kufirin”, thotë zoti Whelan.
Megjithatë, një numër rekord emigrantësh kaluan kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara në vitin 2023. Edhe në terrenin e vështirë të korridorit pranë qytetit Nogales, janë regjistruar shifra rekord të përpjekjeve për ta kaluar kufirin.
“Që pas njoftimit zyrtar, shifrat kanë rënë”, thotë Robert Ortiz, agjent i Patrullës Kufitare amerikane.
Ai thotë se një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti Joe Biden në qershor ashpërsoi kufizimet për emigrantët dhe azilkërkuesit.
“Përveç kësaj, na ndihmon në largimin e tyre. Shumë procese përshpejtohen”, thotë zoti Ortiz për Zërin e Amerikës.
Patrulla kufitare thotë se në zonën Nogales kanë kaluar njerëz nga mbi 150 vende të ndryshme. Numri i emigrantëve nga vendet afrikane dhe aziatike ka shënuar rënie.
“Sepse tek pjesa tjetër e botës po përcillen mesazhe se për të hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara ka pasoja”, thotë zoti Ortiz.
Por për disa ekspertë, siguria kufitare është çështje më komplekse sesa thjesht pengesat.
“Mendoj se flasim për sigurimin e kufirit pa e ditur realisht se çfarë nënkupton kjo”, thotë ekspertja Anna Ochoa O’Leary.
Ajo është bashkëdrejtore e Institutit të Migracionit të Universitetit të Arizonës.
“Mendoj se për një kufi të sigurt duhet të trajtohen shkaqet rrënjësore të emigracionit, arsyet që frymëzojnë njerëzit të kalojnë kufirin”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Pak java para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, emigracioni është një nga çështjet kryesore.
Por, ekspertja O’Leary thotë se marrëdhënia e komuniteteve pranë kufirit me emigracionin është e ndërlikuar.
“Edhe ata që vijnë këtu në mënyrë të ligjshme, konsiderohen si emigrantë të këqij, prandaj nuk ka ndonjë dallim. Ne jemi produkt i një cikli mbi kalimet e ligjshme ose të paligjshme kufitare”, thotë zonja O’Leary.
Ndërkohë, Patrulla Kufitare do të vazhdojë punën për të penguar kalimet e paligjshme kufitare.