Ish-këngëtari i grupit pop 'One Direction', Liam Payne, vdiq të mërkurën në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires. Lajmi u konfirmoi nga policia lokale që tha se muzikanti britanik 31-vjeçar gjeti vdekjen pasi ra nga kati i tretë i ballkonit të dhomës së tij të hotelit.
Nëpërmjet një deklarate policia tha se ishte njoftuar për një "person të seksit mashkull, agresiv, e që mund të ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit".
Punonjësit e urgjencës konfirmuan vdekjen e këngëtarit, që u gjet sikurse u tha, në oborrin e brendshëm të hotelit në lagjen Palermo.
“Zemrat tona janë absolutisht të thyera. Urojmë që familja e të dashurit e tij të gjejnë forcë në këtë moment të vështirë”, shkruante dega e MTV-së në Amerikën Latine, në një postim në platformën e mediave sociale X.
Liam Payne fitoi famë botërore si pjesë e grupit pop tashmë të shpërbërë ‘One Direction’, së bashku me Harry Styles, Zayn Malik, Niall Horan dhe Louis Tomlinson.
Grupi i djemve u shpërbë në vitin 2016 pasi anëtarët e tij vijuan me projekte të ndryshme, përfshirë karriera si solistë.
Gjatë një interviste për televizionin lokal ‘Todo Noticias’ Hernan Palazzon, punonjës i hotelit në lagjen Palermo tha se "lagjja është shumë e tronditur... ka shumë polici, e fansa që po vijnë. Është diçka shumë e trishtë", shtoi ai.
Në fillim të këtij muaji Liam Payne kishte marrë pjesë në koncertin e shokut të tij Niall Horan, në Buenos Aires. Payne dhe Horan të dy kanë kënduar për 'One Direction'.
Muzikanti ka qenë i hapur në media për betejën e tij me varësinë nga droga dhe për kohën që ka shpenzuar në një institucion rehabilitimi.
Më herët të mërkurën, në një postim në Snapchat ai fliste për udhëtimin e tij në Argjentinë, se kishte luajtur polo dhe se priste me padurim të kthehej në shtëpi për të parë qenin.
“Është një ditë e bukur këtu në Argjentin", thoshte ai në një video.