Një sulm ajror izraelit të mërkurën shkatërroi selinë e bashkisë në Nabatieh, një qytet i madh në pjesën jugore të Libanit, duke vrarë 16 persona mes tyre kryetarin e bashkisë. Ky është sulmi më i madh ndaj një ndërtesë zyrtare në shtetin libanez që nga fillimi i fushatës ajrore izraelite.
Zyrtarët libanezë e denoncuan sulmin gjatë të cilit u plagosën më shumë se 50 persona. Ata thanë se ai ishte dëshmi se fushata e Izraelit kundër grupit të armatosur të Hezbollahut, po zhvendosej tashmë kundër shtetit libanez.
Izraelitët "vunë në shënjestër qëllimisht një takim të këshillit bashkiak ku po diskutohej mbi shërbimet dhe ndihmën për njerëzit e zhvendosur nga fushata izraelite”, tha kryeministri në detyrë Najib Mikati.
Sulmet ajrore izraelite goditën zona në të gjithë Libanin, duke vrarë të paktën 27 persona gjatë 24 orëve të fundit, thanë zyrtarët të mërkurën.
Ushtria izraelite tha se ata kishin në shënjestër një komandant të Hezbollahut në sulmet e së martës vonë në qytetin jugor të Qana-s, ku u vranë 15 persona. Fotot dhe pamjet filmike të agjencisë 'Associated Press' treguan disa ndërtesa të rrafshuara dhe të tjera me katet e tyre të fundit të shembura.
Izraeli tha se objektivi ishte Jalal Mustafa Hariri, një komandant i Hezbollahut qe drejtonte operacionet në Qana.
Ndërkohë misioni i OKB-së në Liban (UNIFIL) tha se paqeruajtësit e saj panë një tank izraelit që gjuante ndaj kullës së tyre të vëzhgimit pranë Kfar Kela-s në Libanin jugor të mërkurën në mëngjes. Dy kamera u shkatërruan dhe kulla u dëmtua, tha UNIFIL.
Ushtria izraelite nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi deklaratën e UNIFIL-t.
Izraeli i ka bërë thirrje më parë Kombeve të Bashkuara që të largojnë anëtarët e forcës paqeruajtëse UNIFIL në Libanin jugor, jashtë zonës së luftimit, për arsye sigurie. UNIFIL thotë se trupat e tij janë vënë disa herë në shënjestër të sulmeve izraelite, por këta të fundit e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë.
Gjatë një vizite pranë kufirit me Libanin, Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, tha se vend i tij nuk do të ndalte sulmin ndaj Hezbollahut për të lejuar zhvillimin e negociatave.
"Hezbollahu është në ankth të madh", thuhej në një deklaratë të zyrës së tij. "Ne do të zhvillojmë negociata vetëm nën zjarr. Këtë e thashë që ditën e parë, e thashë në Gazë dhe po e them edhe këtu".
Izraeli filloi fushatën e tij tokësore dhe ajrore në Liban për të çmontuar Hezbollahun pas një viti, gjatë të cilit grupi militant i mbështetur nga Irani, hidhte raketa përtej kufirit në drejtim të shtetit hebre, në mbështetje të militantëve palestinezë të Hamasit në Gazë.
Javët e fundit Izraeli ka vrarë udhëheqës të lartë të Hezbollahut dhe ka rritur trysninë në qytetet kufitare jugore, duke thënë se qëllimi është t’i bëjë ato të sigurta për dhjetëra mijëra izraelitë, të larguar për shkak të sulmeve të Hezbollahut.
Izraeli lëshoi për herë të parë një njoftim për evakuim për banorët e Nabatieh-in, më 3 tetor. Në atë kohë, kryebashkiaku i qytetit Ahmed Kahil i tha agjencisë 'Reuters' se nuk do të largohej.
I pyetur në lidhje me sulmin izraelit në Nabatieh, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller nuk pranoi të komentojë rreth sulmit, por tha Uashingtoni e di se Hezbollahu vepron nga vende si shtëpitë e civilëve dhe mbështet sulme të kufizuara që kanë si objektiv grupin.
"Natyrisht, ne nuk do të donim të shihnim fshatra të tëra të shkatërruara. Ne nuk duam të shohim shtëpitë e civilëve të shkatërruara", tha zoti Miller. "Ajo që ne mbështesim janë inkursione të kufizuara për të sulmuar dhe shkatërruar Hezbollahun dhe infrastrukturën e tij”.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se kishte goditur me dhjetëra objektiva të Hezbollahut në zonën e Nabatieh-it dhe se forcat detare të saj kishin goditur gjithashtu dhjetëra objektiva në Libanin jugor.
Po kështu zyrtarët izraelitë thanë se kishte "çmontuar" një rrjet tunelesh që përdoreshin nga forcat elitare të Hezbollahut, ato ‘Radwan’, në zemër të një qyteti pranë kufirit me Izraelin. Ata publikuan një video që tregonte shpërthime të shumta tek trondisnin një grup ndërtesash. Zyrtarët libanezë thanë se ishte qyteti i vogël i Mhaibib-it.