Rutte: Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, shqetësuese – Rusia synon të dëmtojë demokracitë

UKRAINE-CRISIS/NATO-RUTTE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimorë është e brishtë, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet për të dëmtuar demokracitë në rajon.

Ai i bëri këto komente në prag të takimit dyditësh të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët siç tha, do të diskutojnë edhe operacionet e aleancës në Kosovë.

“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e paktë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, tha sekretari Rutte në një konferencë për shtypin ne selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai tha se përkushtimi i NATO-s ndaj misionit të saj paqeruajtës në Kosovë mbetet i fuqishëm. “Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një mjedis të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, tha sekretari Rutte.

Aktualisht mbi 4 mijë e 400 trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe përgjatë vitit që lamë pas, aleanca shtoi praninë e saj pas tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Sekretari Rutte tha se Rusia “po bën përpjekje për të penguar demokracitë në rajon nëpërmjet kërcënimeve hibride, përfshirë dezinformimin. Ajo po përdor brishtësitë e brendshme për të krijuar ndarje”.

Diplomacia perëndimore shpesh ka tërhequr vërejtjen se Rusia mund të provojë të nxisë konflikte në Ballkan për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

NATO-ja e përkushtuar ndaj Ukrainës – kërkon më shumë qartësi për “planin e fitores” të presidentit Zelensky

Zoti Rutte tha se aktualisht NATO-ja është e përqendruar të ndihmojë Ukrainën që të rifitojë më shumë territor dhe të forcojë pozicionin e saj para çdo negociate të ardhshme për paqe, por aleanca nuk dha ndonjë shenjë se do të ishte e gatshme ta ftonte së shpejti Ukrainën për t'u bashkuar në radhët e saj.

Aleatët kërkuan më shumë informacion nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për "planin e tij të fitores" për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.

Lexoni edhe këtë Presidenti i Ukrainës Zelensky publikon “Planin e Fitores”

Plani përqendrohet në kërkesën që NATO-ja të ecë përpara me një proces të "përshpejtuar" të anëtarësimit të Ukrainës, që presidenti Zelensky e bëri dy vjet më parë, për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë të aleancës ushtarake, pasi Rusia filloi agresionin e saj në shkallë të gjerë.

Besueshmëria e NATO-s mbështetet në garancinë e saj të sigurisë kolektive, përkatësisht në nenin 5 të traktatit të saj themelues që paraqet një angazhim politik nga të gjitha vendet anëtare për t'i ardhur në ndihmë çdo anëtari, sovraniteti ose territori i të cilit mund të sulmohet.

Megjithatë, ky parim nuk zbatohet për një vend partner si Ukraina.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk pranoi të mirëpresë "planin e fitores", duke thënë vetëm se ai dhe aleatët "e marrin parasysh" atë. Ai nuk diskutoi se kur Ukraina mund t'i bashkohej aleancës më të madhe ushtarake në botë, përtej këmbënguljes që ajo do të bëhet anëtare.

“Plani ka shumë aspekte dhe shumë çështje politike dhe ushtarake që vërtet duhet t'i rrahim me ukrainasit për të kuptuar se çfarë fshihet pas tij, për të parë se çfarë mund të bëjmë, çfarë nuk mund të bëjmë”, tha sekretari Rutte.

Presidenti Zelensky do t'u shpjegojë elementet e planit të tij të enjten udhëheqësve të Bashkimit Evropian si dhe ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Plani dhe debatet rreth tij po ndodhin në një kohë të errët për Ukrainën. Trupat e saj po përpiqen të përballen me forcat ruse më të numërta dhe të pajisura më mirë, veçanërisht në rajonin lindor të Donetskut, ku ato gradualisht po zmbrapsen. Kievi po mbijeton me ndihmën perëndimore, por Ukraina thotë se ndihma po arrin shumë ngadalë.

E ardhmja e Ukrainës në NATO është një çështje që aleanca e ka peshuar për 16 vjet.

Në takimin e lartë në Uashington në muajin korrik, 32 vendet anëtare deklaruan se Ukraina është në një rrugë "të pakthyeshme" drejt anëtarësimit. Megjithatë, pak gjëra kanë përparuar që kur udhëheqësit e NATO-s i premtuan Ukrainës dhe Gjeorgjisë në vitin 2008 se "këto vende do të bëhen anëtarë të NATO-s" një ditë.

Tani për tani, NATO-ja është në një gjendje pritjeje. Vendi më i madh dhe më u fuqishëm i aleancës, Shtetet e Bashkuara, janë në prag të zgjedhjeve presidenciale. Aleatët evropianë presin pak lëvizje në Ukrainë derisa një president i ri të marrë detyrën në janar.

Përtej kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania mbeten thellësisht të shqetësuara për mundësinë e përfshirjes në një luftë më të gjerë me Rusinë që ka armë bërthamore dhe udhëheqin një grup vendesh që kundërshtojnë anëtarësimin e Ukrainës në NATO deri në përfundimin e konfliktit.

Në çdo rast, thonë diplomatët e NATO-s, kufijtë e Ukrainës do të duhet të shënohen qartazi përpara se ajo të bashkohet me aleancën, në mënyrë që të mos ketë gabime se ku do të mund të zbatohej garancia e nenit 5.

Trupat ruse kanë pushtuar rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës.