Tiranë, Prokuroria e Posaçme dërgon për gjykim çështjen ndaj ish kryeministrit Berisha mbi klubin sportiv "Partizani"

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke hyrë në Prokurorinë e Posaçme

Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri sot të ditur se ka mbyllur hetimet dhe çoi në Gjykatën e Posaçme çështjen ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke i akuzuar për korrupsion në bashkëpunim në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.

Your browser doesn’t support HTML5

Mbyllen hetimet, pritet fillimi i gjyqit ndaj ish kryeministrit Berisha

Bashkë me ta akuzohen dhe tre personave të tjerë për pastrim parash, ndërsa Prokuroria e Posaçme njoftoi se tashmë ka dërguar kërkesën për gjykimin e çështjes së tyre në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në njoftimin e SPAK-ut theksohet se ish kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi po ashtu për korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale në bashkëpunim.

Në çështjen e tyre të nisur nga viti 2020 është vendosur po ashtu në akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim ndërtuesi Fatmir Bektashi.

Ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen po ashtu për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim. Bashkë me këta tre persona të fundit nën akuzë janë vendosur edhe shoqëritë e tyre tregtare për pastrim parash Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.

Prokuroria e Posaçme dyshon se zoti Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, si një nga ish pronarët e truallit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku u ndërtuan më pas një grup pallatesh

Prokuroria e Posaçme dyshon se zoti Berisha ka shfrytëzuar postin e tij të kryeministrit, duke miratuar ligje dhe akte të ndryshme nënligjore të përshtatura me nevojat e ish pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani për të mundësuar privatizimin.

Po ashtu dyshohet se ai ka ushtruar presion, përmes kontrolleve administrative, ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që ata të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Jamarbër Malltezi për të arritur privatizimin.

Ish kryeministri Berisha nuk i ka pranuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si sulme politike ndaj tij nga kryeministri Edi Rama të pabazuara në fakte. Përmes mediave nga arresti i shtëpisë si dhe në oborrin e SPAK-ut, kur iu komunikuan akuzat një muaj më parë, ai ka folur për fakte të manipuluara qëllimisht, duke këmbëngulur se në privatizimin e kompleksit sportiv Partizani nuk ka shkelje ligjore.