Anija e parë italiane me emigrantë arrin në portin shqiptar

  • Armand Mero

Në Shqipëri, një anije italiane me grupin e parë të migrantëve të shpëtuar në det, arriti në portin e Shëngjinit mëngjesin e sotëm, duke shënuar fillimin e zbatimit të një plani të diskutueshëm për të përpunuar mijëra kërkesa për strehim jashtë Italisë. Emigrantët, 10 bangladeshas dhe 6 egjiptianë, u dërguan fillimisht në qendrën pritëse të ngritur nga autoritetet italiane në port, ku iu nënshtruan verifikimeve të para, të cilat zgjatën për orë të tëra. Dy prej migrantëve rezultuan minorenë, dhe u kthyen pas drejt Italisë. Migrantët, do të transferohen më pas në kampin tjetër, po nën juridiksionin italian, në Gjadër.

Your browser doesn’t support HTML5

Anija e parë italiane me emigrantë arrin në portin shqiptar

Pak përpara orës 8 të mëngjesit, anija ushtarake italiane Libra, u shfaq në hyrje të portit të Shëngjinit. Në bordin e saj gjendeshin 16 migrantët e parë që qeveria italiane, në bazë të marrëveshjes me qeverinë shqiptare, do t’i mbajë në Shqipëri, në pritje të procedurave të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

Rreth orës 10:00, në grupe nga katër, migrantët zbritën nga anija. Të shoqëruar nga forcat të policisë italiane, me kokën poshtë, ata përshkuan me këmbë, distancën e shkurtër prej disa dhjetra metrash, deri në hyrjen e qendrës së ngritur nga autoritetet italiane në brendësi të portit të Shëngjinit.

Në këtë qendër ata iu nënshtruan menjëherë kontrolleve mjekësore, ndërsa iu ofrua veshje e ushqim. Më pas nisën procedurat e nevojshme të identifikimit dhe rregjistrimit. Fillimisht ishte menduar se do të mund të bëhej fjalë për vetëm pak orë, por deri vonë në mbrëmje, ende ky proces nuk ishte përmbyllur, ndërsa personali Italian është gjendur dhe përballë një të papriture. Dy nga migrantët, kanë deklaruar të jenë minorenë. Protokolli mes dy vendeve nuk parashikon mbajtjen e tyre në qendrat në Shqipëri. Ata janë hipur në një motovedetë të Guardia di Finanza-s italiane, për t’u tauar sërish në det me anijen ushtarake Libra, e cila do t’I dërgojë të dy në Itali.

Ndalesa e rradhës për migrantët, është Gjadri, rreth 20 kilometra larg, në një zonë që dikur ishte pjesë e një ish aeroporti të ushtrisë shqiptare, e transformuar në një kamp të madh pritjeje që do të funksionojë po ashtu nën jurisdiksionin italian.

Ndërsa në qendrën e Shëngjinit migrantët vijonin procedurat, në hyrje të portit, një grup aktivistësh të rinj, protestuan kundër marrëveshjes duke mbajtur në duar një parullë me mbishkrimin anglisht “Endrra europiane përfundon këtu” dhe një fotografi ku kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe ajo italiane Giorgia Meloni, shfaqeshin me uniformat e gardianëve në burgje.

Endrra e tyre europiane për një Europë më të mirë, për një jetesë më të lirë dhe demokratike, përfundon sepse ata janë sjellë në Shqipëri, në një burg nga ku nuk mund të dalin”, deklaroi aktivistja Sidorela Vatnikaj.

Në Shqipëri, debatet për marrëveshjen ka qenë deri diku të kufizuara. Por në Itali, ato vijojnë të jenë pjesë e polemikave të zjarrta politike. Komisioni europian e ka parë marrëveshjen si një mundësi të re të trajtimit të cështjes së migracionit. Por organizata të ndryshme ndërkombëtare të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, kanë qenë shumë kritike dhe e shohin problematike zgjerimin e këtij modeli.

U shqetësuam shumë teksa dëgjonim këtë javë presidenten e Komisionit Ursula Von der Leyen, të shprehej se nga kjo marrëveshje duhet të nxirreshin mësime për BE-në, në një sens më të gjerë. Mendojmë se, në asnjë mënyrë, nuk duhet të kthehet në një model për shtetet e tjera anëtare që trasferojnë jashtë vendit të tyre përgjegjësitë lidhur me azilin", shprehet Marta Welander, nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit.

Sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3000 veta. Për momentin kampi I Gjadrit mund të presë deri në 400 migrantë, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve do të vijojë në një fazë të dytë. Brenda kampit funksionojnë tre zona. E para, dhe më e madhja, është qendra ku migrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për kërkesën për azil. Një tjetër zonë, me disa dhjetra shtretër, është destinuar për ata të cilëve u është refuzuar kërkesa dhe do të duhet të riatdhesohen. Ndërsa një tjetër hapësirë është transformuar në një burg të vogël, për rastet e migrantëve që mund të kryejnë krime brenda kampit.

Lexoni edhe këtë Italia dërgon grupin e parë të migrantëve drejt Shqipërisë

Italia ka thënë se vetëm burrat "jo të cenueshëm" që vijnë nga vendet e klasifikuara si të sigurta, do të dërgohen në Shqipëri. Aktualisht janë 21 vende të tilla në listën italiane. Vitin e kaluar, 56,588 emigrantë mbërritën në Itali nga vetëm katër prej këtyre vendeve: Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Shumica ikin shpejt nga qendrat e pritjes dhe shkojnë në Evropën veriore më të pasur.

Sipas marrëveshjes deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit.

Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur, ndërsa personat e cenueshëm si gratë, fëmijët, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës, do të strehohen në Itali. Familjet nuk do të ndahen.

Marrëveshja pesëvjeçare e nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, është përshëndetur nga disa shtete që, si Italia, përballen me një barrë të rëndë refugjatësh.

Lexoni edhe këtë Italia do të ngrejë në Shqipëri dy qendra për pritjen e migrantëve

Marrëveshja u mbështet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i "të menduarit jashtë kutisë" në trajtimin e çështjes së migrimit në Bashkimin Evropian. Por ajo është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm.

Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se asnjë vend tjetër nuk do të mund të ketë qendra të tilla në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria është mirënjohëse për dhjetëra mijëra shqiptarë që u mirëpritën nga Italia pas rënies së komunizmit në vitin 1991, ose mbështetjen e ofruar nga Roma gjatë trazirave ekonomike të vitit 1997 dhe pas tërmetit të vitit 2019.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press.