Një libër mbi jetën e poetit dhe gjuhëtarit të shquar shqiptar Martin Camaj nën përndjekjen e pandërprerë të Sigurimit famëkeq të Shtetit gjatë diktaturës komuniste publikua sot në Tiranë gjatë një tubimi, ku morën pjesë studiues e veprimtarë nga Kosova dhe Shqipëria. Libri “Martin Camaj - Përndjekja dhe Liria” përfshin një dokumentacion të gjerë të kësaj përndjekje në Evropë dhe në SHBA, ndërsa autori i njohur krijonte një seri veprash poetike dhe albanologjike me vlera të rralla për kulturën shqipe.
Your browser doesn’t support HTML5
Vera, mbesa e poetit dhe gjuhëtarit të njohur shqiptar Martin Camaj, përgatiti librin mbi jetën e tij të përgjuar brenda dhe jashtë vendit nga Sigurimi famëkeq i Shtetit.
Libri “Martin Camaj, përndjekja dhe liria”, mbështetet kryesisht në dokumentacionin e marrë prej Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, ku pasqyrohet përndjekja e tij prej një seri anëtarësh të shërbimit të fshehtë në Evropë dhe në SHBA, teksa profesori lëvizte për veprimtaritë shkencore në shumë vende.
Studiuesi i njohur nga Kosova, prof.dr. Isak Shema, tha në tubim se e ka njohur autorin Martin Camaj në vitet 60 të shekullit të kaluar, dhe se ka studiuar në detaje konceptet letrare, shkencore e krijuese të tij, në një periudhë jashtëzakonisht të rëndë për shqiptarët e Kosovës.
Ai vlerësoi Camajn si një shkrimtar, poet e gjuhëtar i shqipes me një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe shkencave albanologjike, i cili ishte përfshirë në gjithë programet shkollore e studimore të Kosovës.
“Ne e nderojmë përjetësisht Martin Camajn. Kemi për të vlerësimin e lartë shkencor e kulturor, për këtë njeri të shquar, i cili mbetet si një ndër ikonat e letërsisë shqipe si dhe të gjuhësisë shqiptare, veçanërisht sa i takon aspekteve të qytetërimit shqiptar”, tha zoti Shema.
Martin Camaj është një nga autorët me më shumë ndikim në kulturën shqipe dhe qarqet artistike në Kosovë, i studiuar dhe botuar rregullisht atje, teksa i botoi poezitë e para në revistën "Jeta e Re", dhe vëllimet e tij poetike ishin ndër librat e parë me poezi në shqip të publikuar në Prishtinë.
Por ndryshe nga Kosova, krijimtaria e Martin Camajt ishte rreptësisht e ndaluar në Shqipëri. Studiuesi i njohur akademik Gjovalin Shkurtaj kujton takimet e pakta me prof. Camajn jashtë Shqipërisë dhe vlerëson krijimtarinë e tij letrare si dhe studimet gjuhësore albanologjike mbi arbëreshët e Italisë.
“Martini është i lidhur shumë ngushtë me tokën shqiptare dhe me arbëreshët e Italisë. Prania e Martin Camajt te revista “Shejzat” bashkë me Ernest Koliqin si dhe me atë yjësi njerëzish në emigracion, që punonin për gjuhën shqipe, kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në fushën e gjuhësisë dhe albanologjisë”, tha zoti Shkurtaj.
Krahas krijimtarisë letrare, poeti Martin Camaj ishte po ashtu edhe një gjuhëtar i shquar, ndonëse i mohuar në atdhe, ndonëse drejtoi katedrën e albanologjike në Universitetin e Mynihut, ku krahas studimeve të tij, përgatiti edhe një grup të gjerë studiuesisht të rinj të pasionuar pas albanologjisë.
Drejtuesi i shtëpisë botuese Nacional dhe studiuesi Mujo Buçpapaj, tha se Martin Camaj ishte njëri prej autorëve më të shquar të shqipes jashtë vendit, që diktatura i përndiqte dhe veprat e tyre i kishte ndaluar të qarkullonin, ndërsa brenda Shqipërisë vrau dhe burgosi dhjetëra shkrimtarë.
“Gjatë viteve 1945-48 dramaturgu Ndre Zadeja, poeti Lazër Shantoja, poeti Bernardin Palaj, romancieri Anton Harapi dhe publicisti Gjon Shllaku u ekzekutuan. Poeti Vincens Prennushi vdiq në burg pas torturash të rënda, ashtu si dhe botuesi e prozatori Dom Ndoc Nikaj. Ndër intelektualët që u ekzekutuan ishte botuesi arbëresh terenc Toçi, botuesi Nebil Çika, shkrimtari baba Ali Tomori dhe poeti Manush Peshkëpia”, theksoi zoti Buçpapaj një pjesë nga fondi i gjerë i artistëve dhe dijetarëve të dënuar nga diktatura komuniste.
Në dokumentet e përfshira në libër pasqyrohet edhe veprimtaria shoqërore e poetit e gjuhëtarit Martin Camaj në Evropë dhe SHBA, e raportuar me shkrim nga përndjekësit e tij, informatorë të shërbimit të fshehtë, mbi takimet e shumta si dhe intervistat publike të tij në Zërin e Amerikës në vitet 80.
Libri botohet në 99 vjetori e lindjes së poetit Martin Camaj dhe në 32 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta dhe synon të hedhë dritë mbi përndjekjen çnjerëzore të diktaturës komuniste ndaj emigracionit politik jashtë Shqipërisë.