Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, mbrojti të hënën një plan për të pezulluar përkohësisht të drejtën e azilit pasi organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile kritikuan këtë vendim.
Që nga viti 2021 Polonia është përballur me valën e migracionit në kufirin e saj me Bjellorusinë, që është gjithashtu pjesë e kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian.
"Është e drejta dhe detyra jonë të mbrojmë kufirin polak dhe atë evropian", tha Kryeministri Tusk të hënën në platformën X. "Siguria e tij nuk do të negociohet."
Autoritetet polake kanë akuzuar Bjellorusinë dhe Rusinë për organizimin e transferimit masiv të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika në kufijtë lindorë të BE-së për të destabilizuar Perëndimin. Ata e shohin atë si pjesë të një lufte hibride që ata e akuzojnë Moskën se po zhvillon kundër Perëndimit ndërsa vazhdon agresionin e saj gati tre-vjeçar në Ukrainë.
Një pjesë e këtyre emigrantëve aplikojnë për azil në Poloni, por përpara shqyrtimit të kërkesave të tyre, ata udhëtojnë në Gjermani dhe vende të tjera perëndimore të BE-së. Gjermania, ku frika e sigurisë po rritet pas një vale sulmesh ekstremiste, së fundmi është përgjigjur duke zgjeruar kontrollet kufitare në të gjithë kufijtë e saj për të luftuar emigrimin e paligjshëm. Zoti Tusk e quajti vendimin e Gjermanisë "të papranueshme".
Kryeministri Tusk njoftoi planin e tij për të pezulluar përkohësisht të drejtën e emigrantëve për të kërkuar azil në një kuvend të Koalicionit të tij Qytetar të shtunën.
Vendimi do të jetë pjesë e një strategjie që do të paraqitet në një mbledhje të kabinetit qeveritar të martën. Dhjetëra organizata joqeveritare i kërkuan zotit Tusk në një letër të hapur që të respektojë të drejtën për azil të garantuar nga konventat ndërkombëtare, të cilat Polonia i ka nënshkruar, duke përfshirë Konventën e Gjenevës për Statusin e Refugjatëve dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, dhe vetë kushtetutën e Polonisë.
Ata argumentuan se të drejtat dhe liritë themelore duhet të respektohen.
“Falë këtyre të drejtave, mijëra polakë gjetën strehim në vende të tjera në kohët e vështira të totalitarizmit komunist dhe ne jemi bërë një nga përfituesit më të mëdhenj të këtyre të drejtave”, thuhej në letër.
Letra u nënshkrua nga Amnesty International dhe 45 organizata të tjera humanitare.
Kryeministri Tusk argumentoi se Finlanda gjithashtu pezulloi pranimin e kërkesave për azil pasi u përball me një trysni në rritje nga vala e emigracionit në kufirin e saj me Rusinë.
“E drejta për azil përdoret në si një mjet lufte në këtë konflikt dhe nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut”, thuhet në një postim të zotit Tusk në X të dielën.
Një zëdhënëse e Komisionit Evropian pranoi sfidën e paraqitur nga Bjellorusia e Rusia dhe nuk e kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë qasjen e Kryeminsitrit Tusk.
“Është e rëndësishme dhe e domosdoshme që Bashkimi Evropian të mbrojë kufijtë e jashtëm, dhe në veçanti ato me Rusinë dhe Bjellorusinë, të cilat kanë ushtruar trysni të madhe në tre vitet e fundit mbi kufijtë tanë të jashtëm”, tha Anitta Hipper gjatë një konference për shtypin të hënën. “Kjo po minon sigurinë e vendeve anëtare të BE-së”.
Por ajo nënvizoi gjithashtu se vendet anëtare të BE-së janë ligjërisht të detyruara të lejojnë njerëzit të aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare.
Zëdhënësja Hipper vuri në dukje se Komisioni Evropian ka në plan të "punojë për t’u siguruar që vendet anëtare të kenë mjetet e nevojshme për t'iu përgjigjur këtyre llojeve të sulmeve hibride".