Kasanof: Duhet partneritet më efektiv me Kosovën

  • Leonat Shehu

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof tha të premten se veprimet e pabashkërenduara që janë ndërmarrë nga qeveria në Prishtinë, ndërlikojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur në mënyrë të suksesshme Kosovën.

Ai i bëri këto komente në një bisedë me një grup gazetarësh në Prishtinë, në ditën e dytë të vizitës së tij Kosovës, gjatë së cilës u takua me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin, ritheksova dëshirën tonë për një partneritet më efektiv. Gjithashtu, u shpreha se jemi të kënaqur për rifillimin e hyrjes së mallrave (nga Serbia) dhe që Kosova ka mundur të zërë vendin e saj në CEFTA dhe në procesin e Berlinit”, tha zoti Kasanof.

Zoti Kasanof tha se është duke punuar ngushtë dhe në bashkërendim me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe vendet e Kuint-it për të çuar përpara procesin e bisedimeve.

“Shtetet e Bashkuara presin që Serbia dhe Kosova të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të marra në dialog dhe sipas marrëveshjes në Bruksel dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Dhe kjo nënkupton për Kosovën, natyrisht, dërgimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe demokracisë shumetnike në Kosovë.

“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës dhe integrimin në strukturat evropiane, veçanërisht në këtë kohë, kur shohim kaq shumë ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i merituar për Kosovën dhe është diçka që duam ta çojmë përpara”, tha zoti Kasanof.

Në pyetjen nëse rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të ndikojë në qasjen ndaj Ballkanit dhe dialogut Kosovë-Serbi, zoti Kasanof tha se nuk mund të flas për hipoteza.

“Megjithatë, ajo që mund të them është se politika jonë e jashtme bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që të ndikojë në një mënyrë dramatike politikën kur vjen puna për Kosovën”, tha ai.

Kjo është vizita e parë e zotit Kasanof në Kosovë që nga emërimi i tij në këtë post. Të premten ai u takua me udhëheqës të partive politike opozitare në Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate tha se kryetari i saj Lumir Abdixhiku ka theksuar shqetësimin e tij për siç thuhet marrëdhëniet e dëmtuara të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

“Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi shkroi në rrjetet sociale pas takimit se ka theksuar “nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. “E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Zoti Kasanof i cili në fillim të javës ishte në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë arriti nga Serbia ku është takuar me udhëheqësit serbë.