Gruda: Për shkak të veprimeve të qeverisë, Kosova ka më pak sovranitet në veri

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Përparim Gruda

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Përparim Gruda thotë se për shkak të veprimeve të qeverisë, Kosova ka më pak sovranitet në veri. “Sovraniteti i vërtetë i një shteti shprehet kur ai në një territor të caktuar shtrin autoritetin përmes institucioneve të tij që janë jo vetëm policia, janë organet gjyqësore, të prokurorisë, administratës tatimore”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Your browser doesn’t support HTML5

Gruda: Për shkak të veprimeve të qeverisë, Kosova ka më pak sovranitet në veri

Në një kohë që Shtetet e Bashkuara po u kërkojnë Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjen që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe të ripërkushtohen në rrugën e dialogut, zoti Gruda ndan mendimin se dialogu e ka humbur qëllimin e tij, që ka qenë njohja e ndërsjellë. “Kosova, nuk ka nevojë të marrë pjesë në një dialog të tillë, por Kosova duhet të përpiqet që dialogun ta kthejë në binarët normalë, të negociojë çështje të caktuara me Serbinë, të arrijë marrëveshje dhe në të njëjtën kohë të ruajë partneritetin që ka me Shtetet e Bashkuara në mënyrë të veçantë dhe me vendet e Bashkimit Europian”, tha ai duket shtuar se për Kosovën nuk ka kapital politik më të madh se sa miqësia me SHBA-të.

Zëri i Amerikës: I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof ndodhet sot në Prishtinë. Për një kohë të gjatë, SHBA-të po u kërkojnë Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjen që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe të ripërkushtohen në rrugën e dialogut? Si mund të ecet përpara në këtë drejtim?

Përparim Gruda: Përkushtimi i Kosovës në dialog është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse tregon edhe përkushtimin për t’i qëndruar besnik premtimeve që u është dhënë partnerëve ndërkombëtarë dhe mendoj që Kosova nuk duhet të ketë frikë nga dialogu, por ajo që është problematike është se dialogu prej një kohe ka humbur qëllimin për të cilin është zhvilluar, së paku në vitet e fundit. Qëllimi ka qenë përfundimi i tij me njohjen e ndërsjellë. Në këto momente njohja e ndërsjellë është larguar nga agjenda e dialogut dhe kjo për vlerësimin tim është problematike sepse në një dialog që nuk çon tek njohja, Kosova, nuk ka nevojë të marrë pjesë në një dialogu të tillë, por Kosova duhet të përpiqet që dialogun ta kthejë në binarët normalë, ata binarë normalë janë që Kosova të negociojë çështje të caktuara me Serbinë, të arrijë marrëveshje dhe në të njëjtën kohë të ruajë partneritetin që ka me Shtetet e Bashkuara në mënyrë të veçantë dhe me vendet e Bashkimit Europian, sepse është e papranueshme që Kosova kaq vite pas pavarësisë të ndodhet në një situatë ku Perëndimi është i detyruar të vërë sanksione ndaj Kosovës dhe kjo do të nënkuptonte që Kosova në sytë e aleatëve tanë duket si pala jokonstruktive në dialog, si pala që po e prish dialogun dhe kjo nuk guxon të ndodhë sepse kjo është një kosto e madhe politike për Kosovën, kosto politike, por edhe kosto në sfera të tjera të jetës, sepse ne kemi masa të Bashkimit Europian të cilat ndikojnë në shumë aspekte në jetën institucionale në Kosovë, por edhe në planin ekonomik të zbatimit të marrëveshjes së asociim-stabilizimit.

Zëri i Amerikës: Opozita e kritikon qeverinë për veprimet e saj në veri të Kosovës për shkak të mungesës së bashkërendimit me aleatët. Por, kryeministri Kurti tha këto ditë se sundimi i ligjit është si “frymëmarrja” për sovranitetin e një vendi. Cili është mendimi juaj, mbi veprimet në veri dhe ndikimin e tyre tek përkrahja perëndimore??

Përparim Gruda: Po e them direkt, mendoj se ato që kanë ndodhur në veri nuk janë shtrirje e sovranitetit, në leximin tim nuk është shtrirje sovraniteti në qoftë se duhet që autoriteti i shtetit të shtrihet përmes përdorimit të policisë dhe masave të tjera represive, sepse në momentin që ne fillojmë të përdorim policinë dhe masat e dhunshme atëherë pushon së qenuri politikë, nuk ka nevojë për politikanë kur përdoren masat e dhunshme, është operacion që kryejnë organe të specializuara të sigurisë. Mendoj se ka qenë qasje e gabuar, mendoj se Kosova ka sot më pak sovranitet në veri seç e ka pasur, është tjetër çfarë paraqitet si propagandë qeveritare, por unë mendoj se Kosova ka më pak sovranitet. Sovraniteti i vërtetë i një shteti shprehet kur ai në një territor të caktuar shtrin autoritetin përmes institucioneve të tij që janë jo vetëm policia, janë organet gjyqësore, të prokurorisë, administratës tatimore dhe lojaliteti qytetar që fitojnë këto institucione. Sot institucionet e Kosovës nuk gëzojnë besimin e qytetarëve në veri dhe ky është një problem i madh. Unë mendoj se kjo ka ndodhur për shkak se kryeministri Kurti nuk ka pasur një plan të mirëfilltë të shtrirjes së sovranitetit ose integrimit të plotë të serbëve, por e ka përdorur veriun për një agjendë tipike zgjedhore dhe tani që afrohen zgjedhjet çdo ditë e më shumë ai e përdor veriun për këtë qëllim dhe fakti që kjo që ka ndodhur në veri nuk gëzon mbështetjen ndërkombëtare, për Kosovën duhet të konsiderohet e papranueshme. Ne nuk mund të luajmë me partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse nëse Kosova ka një kapital të madh politik më të madhin, ai është miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo miqësi nuk mund të këmbehet me asgjë gjë tjetër, me asnjë lloj sovraniteti të shpikur prej një klase politike ose një pushteti aktual.

Zëri i Amerikës: Ndër fushat që nxit shumë diskutime në vendin tuaj është sistemi i drejtësisë, ndonëse të gjitha pushtetet janë zotuar për reforma në sistem. Ku po ngecin reformat sipas jush?

Përparim Gruda: Problemi themelor i reformave në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka qenë paaftësia e qeverisë për të përparuar në reforma dhe shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës që kanë ndodhur për 4 vite rresht. Ne si PDK, unë si anëtar i kryesisë së PDK-së kemi adresuar disa raste në Gjykatë Kushtetuese dhe shkeljet e shumta janë evidentuar nga Gjykata Kushtetuese. Ju kujtoj që në Kosovë ka dështuar realizimi i vetting-ut, i reformës në këshillin prokurorial, i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe një seri ligjesh të tjera të cilat janë hartuar ndesh me Kushtetutën. Por mendoj që standardi i keq që është mbjellë, për të thënë kështu, në këtë kohë në Kosovë është që pushteti i godet organet e drejtësisë përmes deklaratave publike dhe i kundërshton veprimet e tyre. Sa herë organet e drejtësisë marrin një aksion kundër zyrtarëve të caktuar qeveritarë, qeveritarët, ministrat, kryeministri, godasin organin e akuzës gjë që mendoj se është një standard i gabuar. Mendoj që Kosova ka nevojë të ketë një qeveri e cila i jep mbështetje organeve të drejtësisë edhe i mbështet ato në punën e tyre, u ofron resurset që u duhen, përfshirë edhe buxhetin që kërkon këshilli prokurorial në Kosovë, në mënyrë që ato të zhvillohen. Kujtoj këtu që edhe Departamenti i Shtetit në raportin e vitit të kaluar tha që kemi probleme me korrupsionin endemik qeveritar, siç e quajti Departamenti i Shtetit dhe mendoj që puna e organeve të drejtësisë shkon në këtë drejtim, shkon në drejtim të zbulimit, ndjekjes dhe dënimit të korrupsionit qeveritar.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e qeverisë thonë se dërgimi i kaq shumë rasteve në Gjykatën Kushtetuese është pikërisht arsyeja se përse po pengohet ritmi i reformave....

Përparim Gruda: Nuk është një argument i qëndrueshëm besoj. Gjykata Kushtetuese është një institucion normal që përdoret dhe po ta shikosh, për shembull për vetting-un qeveria ka shpenzuar dy vjet pëe ta dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që gjykata ka vendosur për 7 muaj për rastin. Pra është vonuar më shumë qeveria se sa Gjykata Kushtetuese. Pra nuk mendoj se është argument i vlefshëm në këtë rast.

Zëri i Amerikës: Ju gjendeni këtu në kuadër të programit Fulbright. Cila është fusha e studimit dhe si mendoni se do u ndihmojë ky program kur të ktheheni në Kosovë?

Përparim Gruda: Jam i lumtur të them që jam pjesë e Fulbright ketu në universitetin e Uashingtonit, në Siatëll dhe bëj studime në fushën e së drejtës kushtetuese. Është një program që financohet nga Departamenti i Shtetit dhe qeveria e Kosovës për çka jam shumë falënderues dhe është një përvojë e jashtëzakonshme akademike. Është një program i dizajnuar për profesorë të universiteteve në Kosovë. Unë bëj hulumtimin këtu dhe përveç mundësisë për të diskutuar me kolegë dhe profesorë këtu dhe literaturës së gjerë është një mundësi e jashtëzakonshme për mua për të mësuar metoda të reja dhe për të eksploruar metoda të reja të hulumtimit shkencor dhe të punës në arsimin e lartë.