Në qytetin e Shkodrës u mbajt sot marshimi ndërgjegjësues i grave dhe vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit. Marshimi organizohet për të 16-tin vit radhazi nga organizata YWCA, me pjesëmarrjen edhe të përfaqesuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Gjatë vitit 2023 në Shqipëri janë prekur nga kanceri i gjirit 744 gra dhe 15 burra, tregues ky që dëshmon për shkallën e lartë të përhapjes së tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Marshimi i sotëm i grave dhe vajzave u mbajt me moton “Një në Tetë”, duke dëshmuar se një në tetë gra dhe vajza janë sot të rrezikuara të preken nga kanceri i gjirit. Marshimi, thotë drejtorja ekzekutive e YWCA, Dona Godaj, është pjesë e veprimtarive që po zhvillohen në Shqipëri si pjesë e “Tetorit Rozë”, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave për diagnostikimin e hershëm i cili shpëton jetë.
“Për vitin 2023, nga shifrat zyrtare, janë 744 raste të grave të prekura nga kanceri i gjirit dhe ka pasur edhe 15 raste të burrave të prekur nga kanceri i gjirit. Sigurisht, ndërgjegjësimi për tu vizituar, për të shkuar tek mjeku, ka ndryshuar në krahasim me vitet e mëparshme, por përsëri është shumë e rëndësishme që njerëzit të shkojnë dhe të bëjnë kontrolle të rregullta”, tregon ajo.
Një nga të mbijetuarat nga kanceri i gjirit është edhe Sonila, një grua nga Tirana e cila, për luftën e saj për të mposhtur kancerin dhe për të ndërgjegjësuar të gjitha gratë për nevojën e diagnostikimit të hershëm, u nderua me çmimin “Vullnetar i Fjongos Rozë”. Ajo thotë se rreth një vit e gjysëm më parë u diagnostikua me kancer të gjirit të gradës së tretë.
“Isha rreth moshës 35 vjeç, thotë ajo, kur ndodhi e gjithë historia. Tani jam një nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit. Por situatën e përjetova shumë keq, shumë e vështirë. Kisha motiv fëmijët e mi, kështu që duhej ta kaloja patjetër”, thotë ajo.
Për ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, marshimi i sotëm në Shkodër është jo vetëm dëshmi e solidaritetit me gratë dhe vajzat e prekura nga kanceri i gjirit, por edhe një thirrje për nevojën për tu bërë të gjithë bashkë për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje.
“Rritja e ndërgjegjësimit është shumë e rëndësishme, sepse mund të parandalohet më e keqja përmes depistimit të hershëm. Por, njëkohësisht edhe angazhim nga të gjithë ne si dhe autoritetet, sepse duhet që gratë, por edhe burrat, t’a dinë se i kanë të gjithë shërbimet që u ofrohen nga bashkitë dhe sektori i shëndetit”, deklaroi ai.
Ndërsa e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, iu drejtua grave me mesazhin:
“Ja vlen të jetosh”.Si gra, tha ajo, ne zakonisht jemi shumë të ngarkuara me punët e përditshmërisë tonë, punën që bëjmë, prindërimin apo kujdesin ndaj fëmijëve. Ndaj mund të jetë shumë e vështitë të vendosim në qendër të vëmendjes tonë shëndetin vetjak. Për këtë është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi për parandalimin e kancerit të gjirit”, thotë ajo.
Ndërsa për përfaqësuesen e UNICEF në Shqipëri, Edina Kozma, është e rëndësishme që grave dhe vajzave të diagnostikuara me kancerin e gjirit t’u jepet gjithë mbështetja shëndetësore, emocionale dhe psikologjike që kanë nevojë.
“Dhe mesazhi im i fundit është për të gjithë ata që janë në sektorin e shëndetësisë dhe që punojnë aq fort, për aktivistët, për të gjithë vullnetarët dhe vullnetaret, por edhe për të gjitha ato gra dhe vajza si dhe familjet e tyre që janë përballur me këtë sëmundje. Faleminderit për punën e mrekullueshme që ju bëni. Pa ju nuk do t’ia dalim dot mbanë”.
Marshimi i sotëm “Një në Tetë”, përveç rritjes së ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, sipas organizatorëve synon të rrisë edhe trysninë mbi strukturat vendimmarrëse për të rritur buxhetin e shtetit, jo vetëm për parandalimin, por edhe trajtimin dinjitoz e të merituar të grave dhe vajzave të prekura nga kanceri i gjirit.