Izraeli godet në Liban dhe Gazë, dhjetëra të vrarë

  • VOA

Palestinezët kërkojnë trupat e të afërmve të tyre të vrarë në një sulm izraelit ndaj një shkolle në Deir al-Balah, më 10 tetor, 2024/AP

Të vrarë dhe të plagosur nga sulmet në Liban dhe Gazë, ndërsa ushtria izraelite thotë se po godet operativë të grupeve terroriste

Izraeli bëri sulme në Gazë dhe në kryeqytetin libanez duke vrarë të enjten dhjetëra persona, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se po godet operativët e grupeve terroriste.

Izraeli bëri një sulm ajror ndaj një shkolle në Rripin e Gazës të enjten, ku po strehoheshin njerëz të zhvendosur nga konflikti më shumë se një vjeçar, duke vrarë të paktën 27 persona, sipas zyrtarëve palestinezë.

Izraeli tha se sulmi kishte në shënjestër militantët në një qendër komandimi që ishte vendosur brenda shkollës.

Në kryeqytetin libanez, një sulm ajror izraelit goditi një godinë në qendër të qytetit dhe larg prej zonave të kontrolluara nga Hezbollahu në jug të Bejrutit, ku ushtria izraelite ka bombarduar pothuajse për çdo natë gjatë dy javëve të fundit.

Sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë, pati 22 viktima dhe 117 të plagosur, ndërsa ekipet e kërkimit vazhdonin punën mes rrënojave.

Ndërkohë, forcat paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor, UNIFIL, akuzuan Izraelin se qëlloi mbi pozicionet e tyre dhe plagosi dy paqeruajtës.

“Këtë mëngjes, dy paqeruajtës u plagosën pasi një tank i Izraelit qëlloi drejt një kulle vëzhgimi në selinë e UNIFIL-it në Naqoura, duke e goditur drejtpërdrejt atë dhe duke shkaktuar rrëzimin e saj”, thuhet në deklaratën e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor, UNIFIL.

Ushtria izraelite tha se po e shqyrtonte incidentin.

Më herët, ushtria izraelite tha se kreu sulme ajrore, në të cilat u vranë dy komandantë të Hezbollahut, të cilët ishin të përfshirë në sulmet me raketa që kishin në shënjestër Izraelin verior.

Sipas ushtrisë së Izraelit, komandantët e vrarë janë Ahmad Moustafa al-Haj Ali dhe Mohammad Ali Hamdan.

Ushtria izraelite tha gjithashtu të enjten se interceptoi disa nga 40 raketat që u hodhën nga territori i Libanit drejt Izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, duke riafirmuar mbështetjen e tij "të hekurt" për Izraelin, ndërsa vazhdon operacionet e tij ushtarake kundër militantëve sulmit të fundit me raketa nga Irani.

Telefonata ishte biseda e tyre e parë që nga 21 gushti. Shtëpia e Bardhë tha se Nënpresidentja Kamala Harris ishte e pranishme gjatë kësaj bisede.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se telefonata ishte "e drejtpërdrejtë dhe e dobishme" dhe zgjati për rreth gjysmë ore.

Në një deklaratë zyrtare, Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit diskutuan "nevojën urgjente për të rifilluar përpjekjet diplomatike për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi" në Gazë, si dhe për të trajtuar pasojat humanitare të luftës. Kryeministri Netanyahu ka shqyrtuar opsionet për t'u hakmarrë kundër Teheranit pas sulmit të Iranit me rreth 200 raketa balistike ndaj Izraelit më 1 tetor, në një përshkallëzim të madh të konfliktit njëvjeçar midis Izraelit dhe grupeve të armatosura të rajonit, që mbështeten nga Irani. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve se diskutimet mbi një përgjigje të mundshme ndaj këtij sulmit po vazhdonin.

Presidenti Biden ka thënë se ai nuk do ta mbështeste një sulm izraelit ndaj uzinave bërthamore të Iranit.

Hezbollahu filloi të gjuante me raketa Izraelin pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, duke shkaktuar zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve në të dy anët e kufirit dhe duke çuar në përshkallëzimin aktual të konfliktit.

Në Izrael, rreth 1200 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng në sulmin e Hamasit, që shkaktoi luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës.

Në operacionet ushtarake ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 42,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës. Zyrtarët e ministrisë së shëndetësisë, të kontrolluar nga Hamasi, nuk bëjnë dallime mes militantëve dhe civilëve, por kanë thënë se më shumë se gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Hamasi edhe Hezbollahu janë shpallur organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian, Izraeli dhe vende të tjera të botës.