Kina akuzon presidentin e Tajvanit për përshkallëzimin e 'armiqësive'

Kina akuzoi presidentin tajvanez Lai Ching-te për përshkallëzim të “armiqësive” dhe për vazhdim të përpjekjeve për pavarësi, ndërsa Tajvani përgatitet të shënojë Ditën e tij Kombëtare.

Kina, e cila u nda me Tajvanin në fund të një lufte civile në vitin 1949, e konsideron ishullin si pjesë të territorit të saj që përfundimisht duhet të ribashkohet, edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Presidenti Lai, i cili mori pushtetin në maj pasi Partia e tij Demokratike Progresive fitoi një mandat të tretë, ka qenë një mbrojtës i zëshëm i sovranitetit të Tajvanit, duke zemëruar Pekinin.

Zhu Fenglian, zëdhënëse e një agjencie kineze të ngarkuar me çështjet e Tajvanit, tha se Presidenti Lai kishte folur sërish mbi 'pavarësinë e Tajvanit” dhe zbuloi “qëllimin e tij keqdashës për ta përshkallëzuar armiqësinë në një konfrontimin”.

Deklaratat e zonjës Zhu, të publikuara nga media shtetërore të martën në mbrëmje, ishin reagim ndaj deklaratave të Presidentit Lai, i cili tha se ishte “e pamundur” që Kina të ishte “atdheu” i Tajvanit.

“Një nga gjërat më të rëndësishme të këtyre festimeve është se ne duhet të kujtojmë se jemi një vend sovran dhe i pavarur dhe duhet ta vlerësojmë dhe ta duam gjithmonë vendin tonë”, tha Presidenti Lai të shtunën përpara Ditës Kombëtare të Tajvanit.

Tre ligjvënës amerikanë do të jenë ndër të ftuarit e huaj të pranishëm kur Presidenti Lai të mbajë fjalimin e tij për Ditën Kombëtare të enjten, i cili ka të ngjarë të prekë politikat e ishullit në lidhje me Kinën.

Zëdhënësi i mbrojtjes i Kinës, Wu Qian tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara “po i hedhin benzinë zjarrit për çështjen e Tajvanit” duke ofruar armë për Taipein dhe “duke nxitur Tajvanin hap pas hapi drejt një situate të rrezikshme lufte”.

Tajvani ishte në gjëndje gatishmërie për shkak të stërvitjeve ushtarake kineze pranë ishullit në Ditën Kombëtare pasi vëzhgoi “disa aktivitete detare”, tha një zyrtar i lartë i sigurisë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, të mërkurën.

Pekini mban një prani ushtarake pothuajse të përhershme rreth Tajvanit dhe në dy vitet e fundit Kina ka zhvilluar tre stërvitje luftarake në shkallë të gjerë, duke vendosur avionë dhe anije pranë ishullit.

Presidenti kinez Xi Jinping shfrytëzoi së fundmi festimet e ditës kombëtare të vendit të tij për të përsëritur thirrjen për ribashkimin e Kinës dhe Tajvanit.

“Arritja e bashkimit të plotë kombëtar është aspirata e përbashkët e popullit kinez”, tha Presidenti Xi.

“Kjo është një çështje e pakthyeshme, çështje që ka të bëjë me drejtësinë dhe është në përputhje me vullnetin popullor. Askush nuk mund ta ndalë marshimin e historisë”, tha ai.