Zgjerimi i luftës në Liban, civilët mes dy zjarreve

  • VOA

Me zgjerimin e luftës, civilët mes dy zjarreve/Ethel Bonet/VOA

Që nga fillimi i luftës të shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit para një viti, përplasjet ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin janë intensifikuar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ethel Bonet nga pjesa jugore e Libanit, konflikti ka nxitur një krizë të re humanitare, që sipas Kombeve të Bashkuara ka shkaktuar zhvendosjen e 200,000 njerëzve.

Pas një viti dhune përgjatë kufirit, fshatrat në pjesën jugore të Libanit janë zbrazur, ndërkohë që në pjesët më të sigurta popullata është dyfishuar për shkak të familjeve të zhvendosura nga konflikti.

Dyqind banorë të fshatit Kafr Sin, në rajonin Nabatieh, në pjesën jugore të Libanit, tani po strehojnë 500 familje të zhvendosura.

Fatima Rammal dhe familja e saj po strehohen në këtë fshat, por pasiguria i mban ata nën trysni për të lëvizur sërish në çdo moment.

“Ishim më të qetë kur erdhëm këtu, ngaqë besonim se do të ktheheshim në shtëpi brenda një apo dy muajve. Por është vështirë të jesh kaq larg për gati 12 muaj. Na mungon shumë dhe duam të kthehemi sa më parë”, tha ajo.

Familje tjera të zhvendosura, si ajo e Mahmoud Mowassit, po strehohen në shkollat që qeveria libaneze i ka kthyer në qendra për pritjen e refugjatëve, siç është kjo në qytetin jugor Tyre.

Shtëpia e tyre në qytetin kufitar Aitaroun u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit. Ai thotë se gjendja e tyre është e zymtë.

“Morëm paketa ushqimore nga qeveria, por jo ndihmë financiare. Ndihemi se nuk kemi përkujdesje. Në luftën e vitit 2006, shteti ishte më i pranishëm”, tha ai.

Kriza humanitare po shteron burimet e qeverisë së Libanit, e cila që nga viti 2020 është e falimentuar. Punonjësit vendas thonë se ndihma ndërkombëtare është e pamjaftueshme.

“Gjatë vitit të fundit, 7 mijë familje të regjistruara kanë marrë vetëm katër herë paketa me ushqime dhe artikuj higjienikë, ndonëse duhej t’i marrin ato çdo muaj”, thotë punonjësi i ndihmave Murtada Muhna.

Konflikti përgjatë kufirit tani ka hyrë në vitin e dytë dhe ekziston rreziku i përshkallëzimit në një luftë të plotë në Liban. Vendbanimet ku familjet po strehohen aktualisht mund të shndërrohen në vende nga ku ata do të detyrohen të largohen sërish.