Kosovë: Fillon zbatimi i vendimit për lejimin e hyrjes së mallrave serbe

  • Leonat Shehu

Autoritetet në Kosovë njoftuan të martën se është hapur vendkalimi kryesor kufitar në Merdarë për hyrjen e mallrave nga Serbia, një veprim që u mirëprit nga diplomatët amerikanë dhe evropianë.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se për mallrat me origjinë do të zbatohen kontrolle manuale të sigurisë, deri në hyrjen në funksion të skanerëve me rreze X.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë: Fillon zbatimi i vendimit për lejimin e hyrjes së mallrave serbe

Një ditë më parë qeveria e Kosovës vendosi të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shkroi në rrjetet sociale se është i kënaqur me vendimin e qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia dhe se sipas tij “ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën drejt integrimit europian”.

Bashkimi Evropian mirëpriti vendimin duke theksuar se tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e Marrëveshjës për Tregti të Lirë në Evropën AQendore e njohur si CEFTA, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë e përbashkët e Planit të Rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Vendimi është mirëpritur edhe nga autoritetet serbe, sipas të cilave një veprim i tillë largon tensionin dhe ndikon në përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore. Qeveria tha se masat nuk kanë qenë asnjëherë tregtare.

Diplomacia perëndimore dhe së fundmi posaçërisht Gjermania i kanë kërkuar në vazhdimësi qeverisë heqjen ndalesës duke theksuar se ajo është kundër CEFTA-s, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.

Përgjatë negociatave në këmbim Kosovës i është ofruar përfaqësim në CEFTA me emrin e saj - me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), siç është aktualisht si dhe mbështetje për sigurimin e skanerëve që do të kryejnë kontrollet e maunave që hyjnë nga Serbia.

Të mërkurën në Beograd pritet të mbahet takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s.