Grupi terrorist Hamas sulmoi Izraelit tetorin e kaluar duke vrarë mbi 1200 njerëz dhe marrë peng rreth 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj duke shkaktuar një konflikt tejet të ashpër që ka qenë ndër më vdekjeprurësit për punonjësit e medias. Të paktën 116 prej tyre, pothuajse të gjithë palestinezë, janë vrarë gjatë këtij konflikti. Gazetarët e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit dhe Liam Scott, biseduan me gazetarë që kanë mbuluar konfliktin dhe analistë të medias lidhur me rëndësinë që ka media për raportimet nga vendi i ngjarjes dhe që gazetarët në terren të punojnë lirshëm.
Your browser doesn’t support HTML5
Grupi terrorist Hamas sulmoi Izraelit tetorin e kaluar duke vrarë mbi 1200 njerëz dhe marrë peng rreth 250 të tjerë. Sulmi shkaktoi një luftë që vazhdon edhe sot.
Mes shifrave të larta të civilëve të vrarë ka dhjetëra gazetarë. Zëri i Amerikës bisedoi me shefen ekzekutive të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Jodie Ginsberg.
“Më shumë gazetarë u vranë në 10 javët e para të luftës sesa janë vrarë ndonjëherë në një vend të vetëm, gjatë një viti.”
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, që nga 1 tetori janë vrarë 111 palestinezë, dy izraelitë dhe tre libanezë, të gjithë punonjës të medias. Gjithashtu raportohet për 35 gazetarë të plagosur, dy të zhdukur dhe 54 të arrestuar.
John Daniszewski është nënpresident i agjencisë së lajmeve Associated Press dhe kryeredaktor për standardet.
“Është një sfidë shumë e madhe që media të ketë qasje tek ngjarja. Sipas përvojës time, mbulimi i kësaj lufte është më polarizuesi ndonjëherë në karrierën time të gjatë si gazetar”.
Gazetari Tareq Hajjaj ka jetuar gjithmonë në qytetin e Gazës. Ai është korrespondent për median në internet “Mondoweiss” që mbulon territoret palestineze, Izraelin dhe politikën amerikane.
“Sa herë që ndodhesha nën dronët apo avionët luftarakë izraelitë, çdo sekondë ndjeja se ata mund të më hedhin një bombë, sepse e di që ata i godasin gazetarët, e di që ata nuk duan që bota të mësojë se çfarë po ndodh në Gazë”.
E themeluar si një faqe progresiste lajmesh, “Mondoweiss” është përballur me kritika për ato që disa thonë se janë pikëpamje anti-izraelite.
Qeveria izraelite vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat se vë në shënjestër gazetarët. Por Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ushtria izraelite duhet të mbahet përgjegjëse për numrin e lartë të vdekjeve të gazetarëve. Pothuajse të gjithë ata që humbën jetën janë palestinezë, thotë zonja Jodie Ginsberg, me Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve.
“Ata janë të vetmit gazetarë që mund të raportojnë nga Gaza, sepse asnjë gazetar i huaj nuk është lejuar të futet atje. Pra, ata mbajnë peshën e plotë të përgjegjësisë së raportimit mbi ndikimin e luftës në Gazë”.
Plagët dhe vdekja nuk janë rreziqet e vetme me të cilat përballen gazetarët, thotë për Zërin e Amerikës, John Daniszewski me agjencinë e lajmeve Associated Press.
“Nuk janë vetëm rreziqet fizike, por ka përndjekje kibernetike, ngacmim dhe frikësim të gazetarëve.”
Kombet e Bashkuara i kanë dënuar sulmet ndaj gazetarëve, duke thënë se ka patur ‘njoftime shqetësuese’ për sulmet kundër punonjësve të medias, pavarësisht se ata ishin të identifikuar qartë. Ushtria izraelite ka thënë se “nuk godet qëllimisht mbi civilët, përfshirë gazetarët”.
Gazetari Hajjaj mban mend çdo ngjarje që ka mbuluar që nga 7 tetori. Disa, thotë ai, ishin shumë të rënda për t’i shkruar por ai e di rëndësinë që ka mbulimi i ngjarjeve.