Një sulm ajror izraelit në një apartament në Bejrutin qendror, la pas vetes shtatë të vrarë. Izraeli ka goditur zonat e Libanit ku grupi militant ka një prani të fortë që nga fundi i shtatorit, por rrallë herë ka sulmuar në zemër të kryeqytetit.
Nuk kishte asnjë paralajmërim përpara sulmit që u krye të mërkurën vonë, i cili goditi një apartament në qendër të Bejrutit, jo shumë larg selisë së Kombeve të Bashkuara, zyrës së kryeministrit dhe parlamentit. Njësia e mbrojtjes civile e Hezbollahut tha se shtatë nga pjesëtarët e saj mbetën të vrarë.
"Një tjetër natë pa gjumë në Bejrut", shkroi të enjten bashkërenduesja e OKB-së në Liban, Jeanine Hennis-Plasschaert. "Duke numëruar shpërthimet që tronditin qytetin. Nuk ka sirena paralajmëruese. Duke mos ditur se çfarë do të ndodhë më pas. Vetëm pasiguri përpara nesh. Ankthi dhe frika janë të kudondodhura”, shkroi ajo.
Ushtria izraelite tha të enjten se sulmet ajrore shënjestruan 200 objektiva militantësh në Liban, duke përfshirë një ndërtesë në Bint Jbeil në Libanin jugor, të cilën Hezbollahu e përdorte si depo armatimesh. Ai sulm vrau rreth 15 militantë, thanë zyrtarët izraelitë.
Izraeli njoftoi të mërkurën vdekjen e tetë prej ushtarëve të tij, të cilët u vranë në luftimet me Hezbollahun në Libanin jugor, një ditë pasi filloi atë që ushtria izraelite e quan një operacion tokësor "të kufizuar" për të shkatërruar infrastrukturën militante atje.
Lexoni edhe këtë Izraeli sulmon objektivat e Hezbollahut pranë Bejrutit“Ne jemi në mes të një lufte të ashpër kundër boshtit të së keqes të Iranit që po kërkon të na shkatërrojë”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një video-mesazh duke shprehur ngushëllimet e tij. “Me ndihmën e Zotit, ne do të fitojmë së bashku. Do t'i kthejmë pengjet tanë në jug. Do t'i kthejmë banorët tanë në veri. Ne do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit", tha kryeministri Netanyahu.
Përshkallëzimi i dhunës në Liban ka hapur një front të dytë në luftën midis Izraelit dhe militantëve të mbështetur nga Irani, që filloi gati një vit më parë me sulmin e papritur të Hamasit më 7 tetor në Izrael.