SHBA dhe Kina planifikojnë një bisedë telefonike Biden-Xi në ditët në vazhdim

Presidenti amerikan Joe Biden, në të djathtë me Presidentin kinez Xi Jinping para bisedës në kuadër të takimit të nivelit të lartë të G20 në Bali, Indonezi, 14 nëntor 2022

Shtetet e Bashkuara dhe Kina po planifikojnë një telefonatë mes Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Xi Jinping në ditët në vijim, thanë burime që janë në dijeni të diskutimeve, por që nuk pranuan të identifikohen.

Kjo telefonatë do të pasonte bisedën e tyre të fundit në prill të 2024 dhe takimin e tyre ballë për ballë në Kaliforni në nëntor 2023.

Pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi të premten e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u tha gazetarëve se të dyja palët "theksuan nevojën për të mbajtur linja të hapura komunikimi" mes udhëheqësve kinezë dhe amerikanë.

“Ne gjithashtu ramë dakord për rëndësinë e komunikimit të udhëheqësve. Dhe besoj plotësisht që do ta shohim një gjë të tillë në javën dhe muajt në vijim", tha zoti Blinken në Nju Jork javën e kaluar.

Ukraina

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sa herë që është e mundur, synojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me Kinën, qoftë për çështje të tilla si fentanili apo diskutimet mbi rreziqet dhe sigurinë e inteligjencës artificiale. Mbështetja e Kinës për Rusinë në luftën kundër Ukrainës pritet të jetë një temë kryesore në agjendën e Shteteve të Bashkuara.

Të mërkurën, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Kurt Campbell tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë të "frenojnë apo kufizojnë Kinën", por syojnë të sigurojnë një dialog të vazhdueshëm dhe që konkurrenca mes dy vendeve të mbetet "e qëndrueshme dhe të mos priret drejt konfliktit".

Ai përsëriti gjithashtu shqetësimin në rritje të SHBA-ve dhe aleatëve të saj për firmat kineze që furnizojnë me dronë Moskën, të cilat kanë forcuar ndjeshëm aftësitë e Rusisë në fushës e betejës në luftën e saj kundër Ukrainës.

Lexoni edhe këtë Kina shënon 75 vjetorin e qeverisjes nga Partia Komuniste mes sfidave ekonomike dhe të sigurisë

Këtë javë, Kina shënon 75 vjetorin e qeverisjes nga Partia Komuniste. Në Pekin, Presidenti Xi përsëriti planet e partisë së tij për të "ribashkuar" Kinën me Tajvanin.

Pekini vazhdon të këmbëngulë që Tajvani duhet të aneksohet dhe të jetë nën drejtimin e Partisë Komuniste, me forcë nëse është e nevojshme, ndërsa SHBA-ja ka siguruar armë për të bërë të mundësuar mbrojtjen e tij.