Ish-Presidenti Jimmy Carter mbushi 100 vjeç, ndërsa historianët po rivlerësojnë arritjet dhe dështimet e tij gjatë mandatit të vetëm si president i Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh njofton më tej rreth trashëgimisë së ish-presidentit të parë amerikan që arrin moshën 100 vjeçare.
Your browser doesn’t support HTML5
Kur u rikthye në qytetin Plains të Xhorxhias në vitin 1981, ish-Presidenti demokrat Jimmy Carter sapo kishte humbur. Ai u refuzua nga votuesit, të cilët zgjodhën Ronald Reganin.
“Mandati i tij ishte një dështim politik. Por ai pati suksese të rëndësishme dhe vizionare”, thotë Jonathan Alter, publicist dhe historian.
Ai vë në dukje atë për të cilën shumë njerëz e mbajnë mend ish-Presidentin Carter sot – për punën humanitare me Qendrën Carter, “vendosjen e paqes, luftimin e sëmundjeve dhe krijimin e shpresës” në mbarë botën.
“Bëri një punë të shkëlqyer për vëzhgimin e zgjedhjeve në mbi 100 vende. Por, ish-presidentët nuk kanë aq fuqi sa presidentët dhe lista e arritjeve të tij si president që u neglizhuan, minimizuan apo u harruan krejtësisht, ishte shumë e gjatë”, thotë zoti Alter.
Kriza e pengjeve në Iran, rritja e inflacionit dhe embargot e naftës të viteve 1970-të dëmtuan trashëgiminë e ish-Presidentit Carter në Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, libri i tij biografik për ish-Presidentin Jimmy Carter radhitet ndër disa botime që vlerësojnë se katër vitet e mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë nuk ishin aspak një dështim.
“Jo vetëm marrëveshjet e arritura në Camp David dhe hapja e marrëdhënieve me Kinën, por edhe një vazhdë e gjatë arritjesh legjislative për mjedisin dhe çështje të tjera”, thotë zoti Alter.
Në vitin 1980, Presidenti Carter nënshkroi ligjin për mbrojtjen e 40.5 milionë hektarëve në Alaska.
Zoti Alter thotë se ky tashmë konsiderohet si një ndër ligjet më të rëndësishme mjedisore të miratuara ndonjëherë.
“Mendoj se do ta mbajmë mend Presidentin Carter si një president që shërbeu në kohëra jashtëzakonisht të vështira, të cilit iu desh të përballej me rrethana që ishin jashtë kontrollit të tij”, thotë Joe Crespino, profesor në Universitetin Emory.
Ish-Presidenti Carter takohej shpesh me studentët në Universitetin Emory, në Atlanta, për të diskutuar rreth vendimeve të mira dhe të këqija, që ai mori kur ishte president.
“Vendosi të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme amerikane. Asnjë president nuk e arriti këtë si Jimmy Carter-i. Dhe ishte një moment i rëndësishëm për ta zhvendosur balancën e fuqisë gjatë Luftës së Ftohtë”, thotë profesor Crespino.
Ai përmend disa nga arritjet më të harruara për politikën e brendshme, si riorganizimin e qeverisë federale dhe pakësimin e kufizimeve ligjore për linjat ajrore, për transportin rrugor të mallrave dhe prodhimin e birrës.
“Shpesh ia atribuojmë ekonominë e tregut të lirë valës konservatore që filloi me Ronald Reganin, por në fakt Jimmy Carter punoi përpara Reganit për pakësimin e kufizimeve ligjore”, thotë profesor Crespino.
Anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, si ish-ambasadori në OKB, Andrew Young, janë mirënjohës për jetën e gjatë të ish-Presidentit Carter, gjatë së cilës iu dha mundësia të përjetojë interpretime më dashamirëse të trashëgimisë së tij.
“Nuk ka vend në botë ku njerëzit të mos kenë diçka të mirë për të thënë për të, i suksesshëm apo jo”, thotë ish-ambasadori Young.
Bota vazhdon të përfitojë nga puna e Qendrës Carter, në veçanti në luftën ndaj sëmundjeve në Afrikë.