SHBA, debati mes kandidatëve për postin e nënpresidentit

Kandidatët e dy partive për postin e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara, demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance zhvilluan debatin e parë dhe të vetëm nënpresidencial. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh nga Nju Jorku, kandidatët folën për ekonominë amerikane, sulmet e Iranit ndaj Izraelit, kontrollin e armëve dhe tema të tjera.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, debati mes kandidatëve për postin e nënpresidentit


Kandidati republikan JD Vance dhe kundërshtari demokrat, Tim Walz, zhvilluan mbrëmjen e së martës debatin e parë dhe të vetëm nënpresidencial.

Gjatë debatit prej 90 minutash, të organizuar nga rrjeti CBS News, kandidatët diskutuan për ekonominë amerikane, sulmet e Iranit ndaj Izraelit, kontrollin e armëve dhe tema të tjera.

Zoti Vance kandidon përkrah ish Presidentit Donald Trump, të cilin zoti Walz e akuzon se përmbysi diplomacinë botërore.

“Kishim një koalicion vendesh që kishin bllokuar përparimin e programit bërthamor iranian. Donald Trumpi u tërhoq nga programi dhe nuk e zëvendësoi me asgjë. Irani tani është më pranë prodhimit të armës bërthamore sesa ishte më parë për shkak të udhëheqjes së paqëndrueshme të Donald Trumpit”, tha Tim Walz, kandidat demokrat për postin e nënpresidentit.

Zoti Walz kandidon përkrah Nënpresidentes Kamala Harris, të cilën zoti Vance e fajësoi për problemet në qytetin Springfield të Ohajos, ku ai dhe zoti Trump kanë ngritur pretendime, pa ofruar prova, se emigrantët haitianë ushqehen me kafshët shtëpiake të banorëve vendas.

“Strehimi është bërë krejtësisht i papërballueshëm, për shkak të miliona emigrantëve të paligjshëm që po konkurrojnë me amerikanët për shtëpitë e pakta në treg. Njerëzit për të cilët ndjehem më i shqetësuar janë qytetarët amerikanë të cilëve u është shkatërruar jeta për shkak të kufirit të hapur nga Kamala”, tha republikani Vance.

Lidhur me çështjen e debatuar për të drejtat e abortit, zoti Vance tha kjo u takon shteteve ta vendosin.

“Mënyra e duhur për ta trajtuar këtë, duke patur parasysh hapësirën që të krijon demokracia, është që të lihet në dorën e votuesve dhe shteteve individuale për t’i marrë këto vendime dhe për të hartuar politikat e tyre të abortit”, tha zoti Vance.

Demokrati Walz tha se vendimi u takon grave dhe mjekëve të tyre.

“Si mund të themi ne si një vend se jeta dhe të drejtat tuaja, e drejta themelore për të marrë vendime për trupin tuaj, përcaktohet në baza gjeografike”, tha demokrati Walz.

Mbështetësit e kandidatëve ofruan komentet e tyre pas debatit.

“Ishte një debat i dominuar nga JD Vance. Mendoj se ai foli drejtpërdrejt me popullin amerikan për çështje të rëndësishme si kriza e emigracionit të paligjshëm e shkaktuar nga Kamala Harris”, tha ligjvënësja republikane Elise Stefanik e cila përfaqëson Nju Jorkun në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Tim Walz është ai që është. E njoh për më shumë se një dekadë. Kam shërbyer me të për 10 vjet në Kongres. Ai është autentik, apo jo? Ai nuk ka lustra dhe i hapi zemrën popullit amerikan për çështje që kanë rëndësi për të”, tha demokrati Jared Polis, guvernator i Kolorados.

Votimet e hershme kanë filluar tashmë në 23 shtete. Ndërsa ka mbetur pak më shumë se një muaj nga dita e zgjedhjeve, sondazhet tregojnë se gara presidenciale vazhdon të jetë e ngushtë.