Evropa forcon thirrjet për armëpushim ndërsa afron përvjetori i sulmit të Hamasit në Izrael

  • Henry Ridgwell

Khan Junis, Rripi i Gazës.

Ndërsa afrohet përvjetori i sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor, shumë vende evropiane po forcojnë thirrjet e tyre që Izraeli t'i japë fund luftës në Rripin e Gazës për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e numrit të viktimave mes civilëve. Zyrtarët evropianë janë gjithashtu të shqetësuar nga gjendja e rëndë humanitare në Rripin e Gazës.

Your browser doesn’t support HTML5

Evropa forcon thirrjet për armëpushim ndërsa afron përvjetori i sulmit të Hamasit në Izrael

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin u vranë 1200 njerëz shkaktoi zemërim mes aleatëve evropianë dhe u pasua me një valë mbështetjeje për Izraelin.

“Hamasi dhe ata që mbështesin Hamasin janë plotësisht përgjegjës për këtë veprim të tmerrshëm terrorist”, tha Kryeministri i atëhershëm britanik Rishi Sunak.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore ndaj pozicioneve të Hamasit dhe ndërmori operacione ushtarake tokësore në Rripin e Gazës. Në fund të vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se rreth 22 mijë palestinezë ishin vrarë. Shqetësimi filloi të rritej për numrin e lartë të viktimave civile.

“Qeveritë perëndimore e patën shumë të vështirë të tërhiqeshin nga mbështetja e qartë fillestare që i dhanë Izraelit”, thotë Andreas Krieg, studies në “King's College” në Londër.

Kishte shqetësime globale edhe për sasinë e ulët të ndihmave, që lejoheshin të hynin në Rripin e Gazës.

Afrika e Jugut ngriti akuza për gjenocid kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që u mbështetën edhe nga vende të tjera si Spanja, Irlanda dhe Belgjika. Izraeli këmbëngul se po vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Negociatat për arritjen e një armëpushimi deri më tani nuk kanë sjellë rezultate.

“Evropianët nuk kanë ndikimin dhe fuqinë e Shtetet e Bashkuara për të marrë veprime mbi këtë çështje, përveç angazhimit në përpjekjet diplomatike. Pa trysni të fortë ndaj qeverisë së Kryeministrit Netanyahu, asgjë nuk do të ndryshojë”, thotë eksperti Andreas Krieg.

Në korrik, Britania hoqi dorë nga një plan për të kundërshtuar një urdhër arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të bazuar në akuzat për krime lufte. Në shtator, Britania njoftoi se po pezullonte disa shitje armësh për Izraelin.

“Britania po ndërmerr më shumë hapa për të shprehur pakënaqësinë ndaj disa veprimeve të Izraelit. Por, në një vizitë ditë më parë në Izrael, dëgjova shumë njerëz që thoshin se “nëse duhet të zgjedhim mes sigurisë dhe mbështetjes ndërkombëtare, ne gjithmonë do të zgjedhim sigurinë tonë”, thotë Bronwen Maddox, drejtore e organizatës “Chatham House”.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin pas Shteteve të Bashkuara, por edhe Berlini ka pezulluar disa eksporte armësh.

"Gjermania e bëri këtë për arsye se nuk dëshiron të ndikohet nga veprime të mundshme ligjore", thotë eksperti Andreas Krieg.

Vendet evropiane i ofruan Izraelit mbështetje të fortë në prag të 7 tetorit. Pas një viti konflikti brutal, i cili vazhdon të përshkallëzohet, shumica e tyre tani po bëjnë thirrje për përfundimin e luftimeve.

Por pas sulmit të djeshëm të Iranit me raketa balistike kundër Izraelit, Kryeministri Netanyahu, tha se Irani do ta paguajë shtrenjtë sulmin, ndërsa Teherani tha se çdo hakmarrje nga Izraeli do të sillte një përgjigje nga Irani që me "një shkatërrim të madh", duke shtuar kështu frikën për një konflikt të gjerë rajonal.