Debati mes kandidatëve për postin e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara

Demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance, me pikëpamje thellësisht të kundërta për çështjet që e shqetësojnë Amerikën, shtrënguan duart mbrëmjen e së martës në debatin e vetëm të kandidatëve për postin e nënpresidentit ndërsa afrojnë zgjedhjet e 5 nëntorit.

Tim Walz

Demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance shprehën mospajtimet e tyre për krizën në Lindjen e Mesme, imigracionin, taksat, ndryshimet klimatike dhe energjinë. Gjysma e parë e debatit u shoqërua nga kundërshtitë politike dhe sulme të lehta personale.

60-vjeçari Tim Walz, guvernator i Minesotës dhe ish mësues i shkollës së mesme shprehu argumentet e tij përballë kundërshtarit republikan, 40-vjeçarit JD Vance, autori i një prej librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara dhe senator konservator nga Ohajo.

Në debatin e organizuar nga kanali televiziv CBS News, demokrati Walz vuri në pikëpyetje aftësinë e republikanit Trump për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se ish presidenti është shumë i paqëndrueshëm për t’ja besuar udhëheqjen e vendit në një kohë krize si ajo në Lindjen e Mesme.

JD Vance

Kundërshtari i tij, republikani JD Vance tha se bota ishte më e sigurte gjatë katër viteve që republikani Trump drejtoi Shtetet e Bashkuara.

I pyetur nëse do të mbështeste një sulm parandalues izraelit kundër Iranit, republikani Vance sugjeroi se vendimi i takon Izraelit ndërsa demokrati Walz nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.

Republikani Vance shtroi pyetjen se përse Nënpresidentja Harris nuk kishte bërë më shumë për të trajtuar problemet e inflacionit, imigracionit dhe ekonomisë gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë përkrah Presidentit Biden.

“Nëse Kamala Harris ka plane kaq të mira për të trajtuar problemet e klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i zbatojë ato tani, jo kur kërkon të ngrihet në detyrë, por në postin që populli amerikan e zgjodhi atë mbi 3 vite e gjysmë më parë”, tha zoti Vance.

Zoti Walz tha se zoti Trump u kishte dhënë përparësi miliarderëve duke ulur taksat ndërsa sulmoi kandidatin republikan për president për trysninë e ushtruar ndaj republikanëve në Kongres për të hequr dorë nga një projektpropozim dypartiak për sigurinë kufitare në fillim të vitit.

“Shumica prej nesh duam ta zgjidhim këtë”, tha zoti Walz për emigracionin. “Donald Trump kishte katër vjet për ta bërë këtë dhe i premtoi elektoratit amerikan se sa e lehtë do të jetë”.

Zoti Vance e prezantoi veten me respekt, të përzemërt dhe herë pas here mbështeti zotin Walz. Lidhur me energjinë, zoti Vance tha se qëllimi i fushatës republikane ishte që ëndrra amerikane të ishte e arritshme përsëri. Ai argumentoi shtimin e prodhimit të energjisë brenda vendit ndërsa fortifikoi politikën proteksioniste tregtare të zotit Trump duke thënë se eksportimi jashtë vendit i vendeve të punë ishte një politikë e gabuar.

Shkëmbimi më i tensionuar ndodhi afër fundit të debatit, kur republikani Vance, i cili ka thënë se nuk do të kishte votuar për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, shmangu pyetjen nëse ai do të sfidonte votimet e nëntorit nëse zoti Trump do të humbiste.

Demokrati Walz reagoi duke fajësuar pretendimet e zotit Trump për mashtrime në zgjedhje dhe nxitjen e trazirave të 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan, një përpjekje e pasuksesshme për të parandaluar certifikimin e fitores së zgjedhjeve nga demokrati Joe Biden.

“Ai ende thotë se nuk i humbi zgjedhjet", tha zoti Walz përpara se t’i drejtohej kundërshtarit Vance. “A i humbi zgjedhjet në vitin 2020?”

Zoti Vance e anashkaloi pyetje ndërsa e akuzoi Nënpresidenten Harris për censurimin në internet të pikëpamjeve të kundërta.

Demokratja Harris u konsiderua gjerësisht si fituese përballë kundërshtarit të saj republikan, Donald Trump, në debatin e vetëm mes tyre më 10 shtator në Filadelfia, i cili u ndoq nga rreth 67 milionë shikues.

Analistët thonë se debatet mes kandidatëve për nënpresident mund të jenë të zjarrta por në përgjithësi nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë, një ndikim i lehtë tek opinioni publik mund të jetë vendimtar në garën e ngushtë për Shtëpinë e Bardhë.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës përpara fillimi të debatit, analisti Bill Galston me Institutin Brooking tha se një pjesë e rëndësishme e debatit për të dy kandidatët është që të mos bëjnë gabime ose të shprehin pikëpamje politike që bien ndesh me kandidatët për president.

“Gjëja e parë që duhet të bëjnë është që të prezantojnë veten para elektoratit dhe të përpiqen të krijojë një përshtypje përgjithësisht të mirë”, tha zoti Galston. “Së dyti, rregulli kryesor i kandidatëve për nënpresidentë është pothuajse i njëjtë me rregullin kryesor të nënpresidentëve, mos bëni asgjë që do të dobësonte, minonte ose vinte në siklet kandidatin ose presidentin tuaj”.

Dy palët po kërkojnë të shtojnë mbështetjen, ndërsa sondazhet kombëtare tregojnë se demokratja Harris gëzon një avantazh të lehtë përballë kundërshtarit të saj, Donald Trump. Sidoqoftë, duket se shtetet fushëbetejë do të jenë ato që do të përcaktojnë se kush do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për katër vitet e ardhshme.

"Ai ende po thotë se nuk i humbi zgjedhjet," tha Walz, përpara se t'i drejtohej Vance. "A i humbi zgjedhjet e 2020?"

Një anketë e fundit e agjencisë së lajmeve Associated Press dhe qendrës NORC për Hulumtim të Çështjeve Publike tregon se rreth gjysma e votuesve të regjistruar kanë një pikëpamje jo të favorshme për senatorin e Ohajos, nga 40 për qind që ndanin këtë mendim në muajin korrik.

Ndërkohë, zoti Walz po përballet me kritika lidhur me shërbimin e tij në ushtri dhe zbatimin e politikave progresive në Minesota, ndërsa zoti Vance përpiqet të tregojë se kandidati demokrat është shumë larg votuesve të zakonshëm.