Në Shqipëri Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian shprehën shqetësim dhe keqardhje për ngjarjet e pasdites së djeshme në parlament, ku përveç tensioneve të forta në sallë, deputetët e opozitës nxorrën jashtë poltronat e tyre, duke u vënë flakën në shkallët e hyrjes së godinës. Por ndërsa ato bënë thirrje për rikthim në normalitet dhe dialog, opozita reagoi duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga aksioni i saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Ngjarjet e dhunshme gjatë pasdites së djeshme në parlament, ishin për përfaqësuesit e opozitës një reagim ndaj shumicës socialiste, dhe kryeministrit Edi Rama të cilin ajo e bën përgjegjës dhe për vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës së Apelit e cila dënoi me 1 vit burgim, deputetin demokrat Ervin Salianji, nën akuzën e “kallzimit të rremë”.
Ambasada amerikane tha sot se "është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik”, lexohet në deklaratën e saj.
Më herët, ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh për mediat se "është për të ardhur keq që disa përfaqësuesë të opozitës, vendosën të përdorin mënyra të dhunshme për të shprehur qëndrimin e tyre. Besoj se pavarësisht se sa të forta janë pikëpamjet e tua, institucionet parlamentare duhen respektuar. Në një demokraci si Shqipëria, ka mënyra të ndryshme për të shprehur pakënaqësitë. Por përdorimi i dhunës dhe dëmtimet e pronës nuk mund të jenë një prej tyre. Anëtarët e parlamentit duhet të kenë mundësinë që të përmbushin mandatin e tyre dhe të luajnë rolin e tyre në siguri të plotë fizike”.
Ndërsa që prej ditës së djeshme, opozita ka bojkotuar punimet e parlametit, thirrja e përfaqësuesve ndërkombëtarë është në mbështetje të dialogut dhe normalizimit të situatës. “Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë”, thekson ambasada amerikane duke shtuar se “do të vazhdojë të qëndrojë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”.
Edhe ambasadori Gonzato bëri thirrje për “rikthim në dialog, gjë që nuk do të thotë se duhet rënë dakort për çdo gjë, përkundrazi, por një dialog normal. Dhe të shmanget cdo lloj sulmi personal e verbal, apo përshkallëzimi. Besoj se kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment të veçantë”, vuri në dukje ai.
Ndaj qëndrimeve të Ambasadës amerikane dhe Delegacionit të BE-së, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u kundërpërgjigj me tone të matura, duke u shprehur se “PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo”.
Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi, nga ana e tij, ishte më i drejtpërdrejtë në reagim, ndërsa shprehte mospajtimin e hapur ndaj qëndrimit të përfaqësive diplomatike. “Dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale. Nga protesta apo aktet simbolike nuk i rrezikohet jeta askujt, përveçse rrezikohet pushteti personal i Edi Ramës”, shkruajti ai në një postim në Facebook, duke konfirmuar se “reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor. Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjesimin e çdo grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”, theksoi zoti Bardhi.
Për ngjarjet e djeshme në parlament, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha njoftoi se çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme. Ndaj deputetëve demokratë të përfshirë, policia ka ngritur akuza nga "Shkatërrimi i pronës me zjarr" te "Goditjet për shkak të detyrës", ndërsa shumica socialiste ka kërkuar marrjen e masave ndëshkuese nga parlamenti.