Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei u ka kërkuar myslimanëve që të mbështesin militantët e Hezbollahut në Liban "me burime dhe ndihmën e tyre", por analistët thonë se nuk ka gjasa që Irani të hakmerret në mënyrë direkte ndaj Izraelit për sulmin ajror, që shkaktoi vrasjen e aleatit të tij kryesor rajonal, udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe ndihmësve të tij.
Analistët thonë se Irani do të vazhdojë të varet nga përfaqësuesit e tij rajonalë në luftën kundër Izraelit, sepse ai dëshiron të shmangë një goditje të drejtpërdrejtë izraelite në vend.
Ahron Bregman, profesor i çështjeve të Lindjes së Mesme në universitetin King’s College” në Londër, i tha Zërit të Amerikës se Izraeli i ka "dërguar një mesazh shumë të qartë" Iranit me sulmin e tij të dielën ndaj aleatit tjetër, grupit Huthi në Jemen, ndërkohë që ushtria izraelite po vazhdonte bombardimet në Liban.
Ai tha se distanca midis Izraelit dhe Jemenit është pothuajse e ngjashme me atë mes Izraelit dhe Iranit, duke i dhënë një paralajmërim të fortë Teheranit.
“Është një forcë e madhe, sepse avionët luftarakë duhet të furnizohen me karburant me avionë cisternë për të kryer sulme të këtij niveli. Pra, ky është një operacion i madh. Izraelitët i dërguan një mesazh Iranit. Pra, ashtu siç sulmuam Jemenin, ne mund t’ju sulmojmë edhe juve. Ne mund të godasim rafineritë tuaja të naftës dhe madje të sulmojmë objektet tuaja bërthamore”, tha zoti Bregman.
Lexoni edhe këtë SHBA dërgojnë disa mijëra ushtarë shtesë në Lindjen e MesmeUdhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se "fati i këtij rajoni do të përcaktohet nga forcat e rezistencës, me Hezbollahun në ballë". Deklarata duket se u konsiderua si një mesazh se i takon Hezbollahut të merret me veprimet hakmarrëse lidhur me vrasjen e udhëheqësit të tij Hassan Nasrallah.
Sanam Vakil, drejtor i programit të Lindjes së Mesme në Institutin Chatham House të Londrës, tha për gazetën New York Times se Irani "ka marrë një shah mat nga Izraeli në këtë moment". Analisti Sanam Vakil shtoi, “Deklarata e Khameneit është një sinjal i ndikimi të madh të këtyre sulmeve dhe reagimit të kujdesshëm të Teheranit ndaj fuqisë së Izraelit. Ai nuk mori asnjë angazhim publik për reagim ushtarak ndaj sulmeve izraelite.”
Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave tha për gazetën, Arab News nga Arabia Saudite, se “Irani nuk do t’i japë mbështetje direkte Hezbollahut. Strategjia e mbrojtjes e Teheranit ka qenë gjithmonë e bazuar në ushtrimin ndikimit dhe fuqisë përtej kufijve të tij si masë frenuese, jo për të tërhequr sulme ndaj territorit të tij.”
Lexoni edhe këtë Izraeli jep shenja se po përgatit një ofensivë tokësore në LibanNicholas Heras nga Instituti Linja e Re për Strategjinë dhe Politikat me seli në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se Khamenei ka vlerësuar gabimisht qëllimet ushtarake të Izraelit, duke përfshirë "dobësimin e fortë deri gati në pikën e shkatërrimit të Hezbollahut, ripopullimin e Izraelit verior dhe këputjen e Libanit nga Gaza.”
“Iranianët e kanë nënvlerësuar Izraelin. Strategjia e Iranit që përmes mbështetjes së grupeve militante të krijonte një unazë zjarri rreth Izraelit duhej të frenonte izraelitët. Por, kjo nuk ndodhi. Izraelitët po bëjnë të kundërtën. Nëse Irani nuk mund të rikthejë këto masa frenuese, një pjesë e madhe e doktrinës së tij strategjike në Lindjen e Mesme do të venitej”, tha ai.
Ndërkohë, udhëheqësi në detyrë i Hezbollahut, Naim Kassem është zotuar të vazhdojë luftën kundër Izraelit, pavarësisht vrasjes së komandantëve të lartë të grupit libanez. Ai tha se anëtarët e Hezbollahut janë të gatshëm të luftojnë dhe mbrojnë Libanin kundër një ofensive të mundshme tokësore nga Izraeli.