Nën qeverisjen e talibanëve, mediat në Afganistan janë ndër më të kufizuarat në botë, por një brez i ri gazetarësh vazhdojnë të kenë dëshirën për të mësuar mbi gazetarinë. Edhe gratë, të cilave u ndalohet shkollimi në universitetet e vendit, po gjejnë mënyra për të studiuar. Shërbimi afgan i Zërit të Amerikës sjell historinë e tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Në këtë klasë në Kabul, një brez i ri gazetarësh po mësojnë mbi median.
Por studentët në Qendrën Arsimore “Wesal” po e nisin karrierën e tyre në një kohë të vështirë për industrinë mediatike. Ata thonë se kufizimet nga qeveria talebane e vendit ua vështirësojnë ndjekjen e pasionit të tyre, të bëjnë karrierë në gazetari.
Ata gjithashtu duan të kenë përvojë pune në redaksitë e mbetura në vend.
“Ka kufizime në media. Ne duam që këto kufizime të hiqen. Së dyti, kërkojmë nga organizatat mediatike që të na ofrojnë mundësi për të punuar, për të njohur punën në studio”.
Kaftan Otmanzai dhe studentë të tjerë bashkë me të po fillojnë të merren me gazetari në kushte të vështira.
Që kur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, ndaj mediave është shtuar censura dhe po ashtu ato janë përballur me vështirësi ekonomike.
Dikur një skenë e gjallë mediatike, Afganistani tani renditet në vendin e tretë për gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit, duke u rradhitur pak më poshtë Koresë së Veriut dhe Iranit, sipas organizatës Reporterët pa Kufij.
Megjithatë, pedagogët në Qendrën Arsimore “Wesal” thonë se studentët e tyre vazhdojnë ta duan gazetarinë.
“Ata shpresojnë se një ditë do të jenë në gjendje të punojnë në media. Kufizimet dhe problemet nuk do të jenë përgjithmonë.”
Qendra “Wesal” ka disa studentë, por asnjë nuk është grua.
Talibanët i ndaluan gratë të arsimohen pas shkollës fillore dhe dhjetëra gazetare nuk mund të punojnë më në media. Ato që e bëjnë këtë duhet të shfaqen plotësisht të mbuluara në ekran.
Rahima Naime është ish-lektore gazetarie në Universitetin Rana në Kabul. Ajo thotë se gazetaria ishte një fushë e njohur studimi përpara se talebanët të rimerrnin pushtetin.
“Ka pasur shumë gra me arsim të lartë, veçanërisht në gazetari. Kishte shumë studente që ëndërronin të diplomoheshin dhe të bëheshin pjesë e medias”.
Gratë në Afganistan vazhdojnë të ndjekin kurse gazetarie përmes internetit, që pedagogia Naime dhe disa organizata i ofrojnë nga jashtë kufijve të Afganistanit.
Por pavarësisht trajnimit, ka pak vende pune. Dhjetëra media janë mbyllur që nga marrja e pushtetit nga talibanët.
“Për fat të keq, mediat nuk mund të krijojnë më vende pune për shkak të problemeve ekonomike. Personeli i tyre është pakësuar. Një zgjidhje mund të jetë që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë financiarisht mediat që të mund të punësojnë këta të rinj të arsimuar dhe që e duan gazetarinë”.
Ndërsa media në vend përballet me një mjedis të vështirë, brezi i ardhshëm i gazetarëve po mëson aftësitë që i nevojitet me shpresën se kufizimet do të lehtësohen.