Izraeli vazhdoi sulmet ndaj objektivave të grupit militant Hezbollah në Liban, ndërsa ushtria izraelite njoftoi për vrasjen e një tjetër zyrtari të lartë të grupit, një ditë pasi u konfirmua vrasja e disa komandantëve, përfshirë e udhëheqësin Hassan Nasrallah. Ekspertët thonë se bombardimet në rritje të Izraelit kanë rritur frikën se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë ndoshta Iranin, si edhe Shtetet e Bashkuara, aleatin më të ngushtë të Izraelit.
Your browser doesn’t support HTML5
Ushtria izraelite njoftoi të dielën se vrau Nabil Kaoukun, një tjetër zyrtar i lartë të grupit militant Hezbollah, një ditë pasi grupi konfirmoi vdekjen e disa komandantëve, përfshirë udhëheqësin Hassan Nasrallah.
Hezbollahu i konfirmoi vrasjet, përfshirë atë të komandantit Ali Karaki, i cili humbi jetën në sulmin e së premtes që vrau dhe Nasrallahun.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të shtunën se vrasja e udhëheqësit të Hezbollahut, ishte një pikë kthese historike që mund të ndryshojë ekuilibrat e fuqisë në Lindjen e Mesme, megjithëse ai paralajmëroi për ditë sfiduese përpara.
“Ne kemi larë hesapet me dikë që ishte përgjegjës për vrasjet e izraelitëve të panumërt dhe shumë shtetasve të vendeve të tjera, duke përfshirë qindra amerikanë dhe dhjetëra francezë. Nasrallah nuk ishte vetëm një tjetër terrorist, ai ishte boshti i terrorizmit, motori kryesor i boshtit të së keqes së Iranit. Ai dhe njerëzit e tij ishin arkitektët e planit për të shkatërruar Izraelin”, dekalroi ai.
Po ashtu kryeministri izraelit pati dhe një paralajmërim për Iranin.
“Dhe regjimit të ajatollahëve, unë i them: Ata që na godasin, ne do t’i godasim. Nuk ka vend në Iran apo në Lindjen e Mesme që krahu i gjatë i Izraelit nuk mund ta arrijë. Ju tani e dini këtë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Iranit, tha se vrasja e udheheqësit të Hezbollahut si dhe një oficeri të lartë të Gardën Revolucionare të Iranit, i cili u vra në të njëjtin sulm izraelit të premten në Bejrut “nuk do të mbeteshin pa përgjigje”.
Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei u zhvendos në një vend të sigurt në Iran pas vrasjes së Nasrallahut, thanë dy burime për agjencinë e lajmeve Reuters.
Të dielën, ushtria izraelite tha se forcat ajrore kishin goditur dhjetëra objektiva duke përfshirë depo armësh. Dronët mund të dëgjoheshin duke fluturuar mbi të gjitha pjesët e kryeqytetit libanez gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës të dielën.
Një raketë lëshuar nga Libani u rrëzua në Bregun Perëndimor të shtunën, duke shkaktuar zjarre tha ushtria izraelite. Më herët, sirenat për sulme ajrore u dëgjuan në periferi të Jerusalemit dhe Bregut Perëndimor.
Bombardimet në rritje të Izraelit kanë rritur frikën se konflikti mund të dalë jashtë kontrollit, duke tërhequr potencialisht Iranin si dhe Shtetet e Bashkuara, aleatin më të ngushtë të Izraelit.
I pyetur nga gazetarët nëse një inkursion tokësor izraelit në Liban ishte i pashmangshëm, presidenti amerikan Joe Biden tha të shtunën se ishte koha për një armëpushim.
“Është koha për një armëpushim” u tha Biden gazetarëve ndërsa po dilte nga kisha në Rehoboth Beach, Delaëare.
Zoti Biden u pyet gjithashtu nëse Shtetet e Bashkuara do t'i përgjigjeshin sulmeve me raketa ndaj anijeve luftarake amerikane në Detin e Kuq dhe ai tha: “Po, ne po përgjigjemi”.
Një zyrtar amerikan tha se anijet luftarake të marinës amerikane që kalonin në Detin e Kuq goditën disa raketa dhe dronë, që ishin nisur nga grupi Huthi.
Përpjekjet diplomatike kanë treguar pak shenja përparimi. Ministri i Informacionit i Libanit Ziad Makary tha gjatë një takimi të kabinetit se përpjekjet për një armëpushim ishin ende duke u zhvilluar.
“Është e pamundur të mos theksohet rëndësia e vrasjes së Hassan Nasrallah nga Izraeli. Ai ka qenë udhëheqësi ikonë për mbështetësit e Hezbollahut në Liban dhe përtej kufijve të Libanit, në të gjithë rajonin për 32 vite. Ai nuk është vetëm një udhëheqës libanez me ndikim në politikën libaneze, por ai ishte në krye të projektit iranian në rajon, aktori më i fuqishëm joshtetëror në atë bosht iranian, i vendosur në kufirin verior të Izraelit. Pra është një ngjarje shumë e rëndësishme si brenda vendit për Libanin dhe të ardhmen e tij, por edhe më gjerë për rajonin dhe konfrontimin iraniano-izraelit”, thotë Firas Maksad, nga Instituti për Lindjen e Mesme me bazë në Uashington.
Për ekspertin Paul Moorcraft, vrasja e drejtuesit të grupimit milintat Hezbollah është një pikë të mundshme kthese për një konflikt të madh në Lindjen e Mesme.
“Ky mund të jetë shkas për një konflikt të madh në Lindjen e Mesme. Çfarë do të thotë kjo? Kjo mund të jetë një intifadë e tretë në Bregun Perëndimor, mund të ketë më shumë luftime, sauditët të zhyten në atë që quhej 'Vietnamin' e tyre kundër Huthëve, ndoshta sirianë që shkojnë në Golan, kjo mund të jetë një luftë e madhe shumë e madhe”, mendon ai.
Shqetësimet janë rritur për mundësinë e një konflikti më të gjerë. Izraeli ka mobilizuar brigada rezervë dhe thotë se është gati për të gjitha opsionet, përfshirë një operacion tokësor.
Hezbollahu ka thënë se do të ndalojë sulmet vetëm kur të përfundojë ofensiva e Izraelit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 1000 libanezë u vranë dhe 6000 u plagosën në dy javët e fundit, pa thënë se sa ishin civilë. Qeveria tha se një milion njerëz - një e pesta e popullsisë - kishin ikur nga shtëpitë e tyre.