Këtë javë ndaj kryetarit demokrat të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, u ngrit një padi federale me akuza të shumta për korrupsion. Zoti Adams, një ish-drejtues policie që më vonë hyri në skenën politike, deklaroi pafajësinë në gjykatë dhe pretendoi se prokurorët po e sulmojnë pasi kritikoi politikat e administratës së Presidentit Joe Biden për emigracionin. Rreth padisë dhe reagimeve njofton nga Nju Jorku korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aron Ranen.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një zhvillim tronditës, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams është paditur me akuza të shumta, ndër të tjera për shkelje të ligjeve për financimin e fushatës elektorale, ryshfet dhe konspiracion, duke shkaktuar kështu valë tronditëse në qytetin e Nju Jorkut dhe skenën politike kombëtare.
"Njoftuam sot akuzat për ryshfet, për financimin e fushatës dhe konspiracion për kryetarin e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams. Kryebashkiaku Adams u angazhua për një kohë të gjatë kërkoi dhe mori me vetëdije kontribute të paligjshme për fushatën zgjedhore nga donatorë dhe korporata të huaja", tha prokurori i Nju Jorkut, Damian Williams.
Prokurorët argumentojnë se kryebashkiaku mori para nga një zyrtar i qeverisë turke dhe biznesmenë turq në këmbim të favoreve për ta.
"Gjithashtu akuzojmë se kryetari i bashkisë kërkoi dhe mori mbi 100 mijë dollarë përfitime në formën e udhëtimeve luksoze nga disa prej të njëjtëve aktorë të huaj që mundësuan shumë nga kontributet e paligjshme të fushatës", tha prokurori Williams.
Kryebashkiaku Adams i hedh poshtë këto akuza.
"Nuk jemi befasuar që arritëm në këtë pikë. ukërkova njujorkezëve të presin, të dëgjojnë argumentat tona mbrojtëse përpara se të arrijnë në ndonjë përfundim. Bazuar në atë që lexova, është e qartë se nëse janë shkelje të fushatës, unë e di që nuk i shkela rregullat për fushatën; nëse janë për donatorë të huaj, unë e di që nuk marr para nga donatorët e huaj”, tha kryebashkiaku Adams.
Ai këmbënguli se përgjegjësitë e tij të përditshme si kryetar bashkie do të mbeten të pandryshuara.
"Tashmë avokatët e mi do të kujdesen për çështjen gjyqësore, në mënyrë që unë të kujdesem për qytetin. Funksionet e mia të përditshme nuk do të ndryshojnë. Unë do të vazhdoj të punoj për 8.3 milionë njujorkezët për të cilët u zgjodha", tha zoti Adams.
Njujorkezët reaguan me opinione të ndryshme.
“Mendoj se është e tmerrshme. Mendoj se qyteti meriton shumë më mirë dhe se të gjithë duhet të largohen, i gjithë ekipi i Adamsit", thotë Patrick Sullivan, banor i qytetit të Nju Jorkut.
"Sigurisht që do të ketë probleme, por nuk mendoj se për marrjen e fondeve për fushatën, nëse e ka bërë këtë, nuk jam i bindur se ai duhet të dorëtërhiqet", thotë David Fischer, banor i Nju Jorkut.
Ish-prokurori federal Neama Rahmani thotë se këto akuza janë historike.
"Kjo është një aktakuzë historike, hera e parë që një kryetar bashkie në detyrë është akuzuar në qytetin e Nju Jorkut, dhe kjo është diçka që zyrtarët federalë nuk e marrin lehtë. Duhet të shkohet deri në nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë për të marrë miratimin për të ngritur akuzua ndaj një zyrtari të zgjedhur”, thotë zoti Rahmani.
Ai vë në dukje gjithashtu se akuzat mund të rezultojnë në një dënim të gjatë me burg.
"Adams rrezikon të dënohet me deri në 45 vite në një burg federal; akuzat më serioze janë ato për mashtrimin me dërgesat bankare, që mbartin një dënim maksimal prej 20 vitesh. Dhe për shkak të shumës së mashtrimit, që janë miliona dollarë, sipas kuadrit ligjor ai rrezikon të bëjë disa vite burg, edhe nëse nuk i jepet maksimumi”, thotë zoti Rahmani.
Ndërsa kryebashkiaku Adams vazhdon në detyrë, drama politike dhe ligjore ka të ngjarë të përshkallëzohet, ndërsa shumë njerëz presin të shohin se si do të zhvillohet mbrojtja dhe çfarë efekti do të ketë kjo çështje gjyqësore në të ardhmen e qeverisjes së qytetit të Nju Jorkut.