Izraeli vret udhëheqësin e grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah

Udhëheqësi i grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut të premten. Ushtria izraelite tha se disa komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Hassan Nasrallahun në një sulm të fuqishëm ajror . Nasrallah ka udhëhequr grupin militant libanez për tre dekadat e fundit dhe e ka transformuar atë në një nga grupet paraushtarake më të fuqishme në Lindjen e Mesme.

Your browser doesn’t support HTML5

Izraeli vret udhëheqësin e grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah

Hezballahu konfirmoi me anë të një deklarate se një nga themeluesit dhe drejtuesi i grupit militant, Hassan Nasrallah humbi jetën pas sulmit ajror izraelit.

Nasrallah është deri tani individi më i rëndësishëm që vritet nga Izraeli pas disa javë luftimesh të intensifikuara me Hezbollahun. Ushtria izraelite tha se kreu një sulm ajror me precizion të lartë të premten, ndërsa udhëheqja e Hezbollahut po mbante një takim në një seli në Dahiyeh, në jug të Bejrutit.

“Këtë mëngjes ne njoftojmë eliminimin e Hassan Nasrallah, kreut të organizatës terroriste Hezbollah për 30 vitet e fundit, pas një goditjeje të saktë të forcave ajrore të premten në Dahiyeh në Bejrut. Ne eliminuam atë dhe komandantë të tjerë të rangut të lartë, mes tyre Ali Karki, komandanti i Frontit Jugor të Hezbollahut. Nasrallah ishte ndër armiqtë më të mëdhenj të shtetit të Izraelit të të gjitha kohërave. Ai ishte një kërcënim për qytetarët e Izraelit për dekada. Eliminimi i tij e bën botën një vend më të sigurt”, tha Adm. Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Ministria libaneze e Shëndetësisë tha se gjashtë persona u vranë dhe 91 u plagosën në sulmet e Bejrutit të premten, të cilat rrafshuan gjashtë ndërtesa banimi.

Hassan Nasrallah, ka udhëhequr grupin militant libanez për tre dekadat e fundit dhe e ka transformuar atë në një nga grupet paraushtarake më të fuqishme në Lindjen e Mesme.

Nën udhëheqjen e 64-vjeçarit Nasrallah, Hezbollahu ka luftuar kundër Izraelit dhe ka marrë pjesë në konfliktin në Sirinë fqinje, duke ndihmuar presidentin Bashar Assad.

I parë nga mbështetësit e tij si një strateg karizmatik dhe mendjemprehtë, Nasrallah e transformoi Hezbollahun në një armik kryesor të Izraelit, duke çimentuar aleancat me udhëheqësit fetarë shiitë në Iran dhe grupet militante palestineze si Hamasi.

Një orator i zjarrtë i parë si një ekstremist në SHBA dhe në pjesën më të madhe të Perëndimit, ai konsiderohej gjithashtu një pragmatist në krahasim me militantët e zjarrtë që dominuan Hezbollahun pas themelimit të tij në 1982, gjatë luftës civile në Liban.

Pavarësisht fuqisë që zotëronte, Nasrallah ka jetuar kryesisht i fshehur në vitet e fundit nga frika e një atentati izraelit.

I lindur në vitin 1960 në një familje të varfër shiite në periferinë veriore të varfër të Bejrutit, Sharshabouk, Nasrallah më vonë u zhvendos në Libanin jugor. Ai studioi teologji dhe iu bashkua lëvizjes Amal, një organizatë politike dhe paraushtarake shiite, përpara se të bëhej një nga themeluesit e Hezbollahut.

Shefi i Shtabit të Izraelit, gjeneral-lejtant Herzi Halevi, tha të shtunën se eliminimi i Nasrallah nuk ishte sulmi i fundit i planifikuar nga forcat izraelite. Ushtria tha se po mobilizonte ushtarë rezervë shtesë ndërsa tensionet përshkallëzohen me Libanin, duke aktivizuar tre batalione ushtarësh rezervë për të shërbyer në të gjithë vendin.

Ekspertët tani po analizojnë efektin që do të ketë vrasja e udhëheqësit të grupit militant Hezbollah në konfliktin me Izraelin që ka nisur prej gati një viti.

“Largimi i tij (Nasrallah) nga skena do të jetë një tronditje e madhe për ata që e ndoqën. Duke parë që janë vrarë dhe disa nga komandantët e grupit militant me të vërtetë ngre të gjitha llojet e pyetjeve se çfarë lloj hakmarrjeje grupi apo Irani mund të zgjedhë për të ardhmen”, thotë Bronwen Maddox, drejtore e “Chatham House” një institut me qëndër në Londër.

Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei në një mesazh të shtunën tha se “lëvizja e rezistencës, e drejtuar nga Hezbollahu, do të vendosë për fatin e rajonit”, në një deklaratë të lexuar nga televizioni shtetëror. “Të gjitha forcat rajonale të rezistencës duhet të qëndrojnë pranë dhe të mbështesin Hezbollahun”, theksohet në mesazh e udhëheqësit suprem Iranian.

“Unë nuk mendoj se Irani dëshiron një luftë të nxehtë që nuk mund ta kontrollojë - një luftë e madhe rajonale. Nuk mendoj se dëshiron një luftë të drejtpërdrejtë me Izraelin, për shembull”, thotë Bronwen Maddox.

Izraeli është zotuar të rrisë trysninë ndaj Hezbollahut derisa ai të ndalojë sulmet e tij që kanë zhvendosur dhjetëra mijëra izraelitë nga komunitetet pranë kufirit libanez. Luftimet e fundit kanë zhvendosur gjithashtu më shumë se 200 mijë libanezë gjatë javës së kaluar, sipas Kombeve të Bashkuara.

Grupi militant Hezbollah filloi të sulmonte me raketa Izraelin në mbështetje të Gazës më 8 tetor, një ditë pasi militantët e Hamasit filluan një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.