Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, bota tani investon pothuajse dy herë më shumë në energjinë e pastër sesa në lëndët djegëse fosile. Me këtë ndryshim vijnë edhe rreziqet për mjedisin që lidhen me minierat për mineralet kritike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Stone, njofton se si vendet po i kalojnë sfidat mjedisore në krijimin e një të ardhmeje që mbështetet në burimet e rinovueshme.
Your browser doesn’t support HTML5
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një marrëveshje globale për të hequr gradualisht karburantet fosile. Marrëveshja gjithashtu ka për qëllim të trefishojë kapacitetit e energjisë së rinovueshme, deri në vitin 2030.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përshëndeti zotimin për rritjen e energjisë së rinovueshme për të zbutur varfërinë në të gjithë planetin.
“Ndërsa problemi përkeqësohet, zgjidhjet po përmirësohen. Çmimet e burimeve të rinovueshme po bien, jetët po transformohen nga energjia e pastër”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.
Në Serbi, firma ‘Rio Tinto’ ka zbuluar një depozitë litiumi që pritet të prodhojë në sasi të mjaftueshme minerali për prodhimin e 1.1 milionë automjeteve elektrike në vit, sipas njoftimeve të mediave serbe.
Geoffrey Pyatt, ndihmës sekretari amerikan për burimet energjetike, thotë se projekti është një mundësi për të rritur ekonominë e gjelbër të Evropës dhe për të hequr varësinë nga mineralet e Kinës.
“Ne kemi nevojë për shumë më tepër minerale për bateritë, por gjithashtu kemi nevojë për bateri dhe prodhim makinash. Serbia mund të luajë një rol të rëndësishëm në të gjitha këto, veçanërisht në zinxhirin e furnizimit evropian”, thotë zoti Pyatt.
Ndërsa kërkesa për minerale po krijon mundësi të reja, aktivistët thonë se ajo po paraqet gjithashtu rreziqe të reja për mjedisin. Organizata e Drejta Ndërkombëtare Mjedisore thotë se një minierë e nikelit në Indonezi po kërcënon dhjetëra specie kafshësh dhe shpendësh përmes shpyllëzimit dhe ndotjes.
“Si një organizatë mjedisore, ne besojmë se makinat elektrike janë një pjesë e rëndësishme e tranzicionit të energjisë, por mënyra se si po bëhet kjo në Indonezi nuk është domosdoshmërisht pjesë e një zgjidhjeje mjedisore”, thotë Krista Shennum nga E Drejta Ndërkombëtare Mjedisore.
Kërkimi i zgjidhjeve i ka shtyrë kompanitë të hulumtojnë nën ujë. Një firmë e re amerikane “Impossible Metals” synon po kryen kërkime për minerale, në shtratin e një zone të Oqeanit Paqësor të njohur si ‘Clarion-Clipperton’.
Teknologjia që përdor kjo firmë shmang kërkimet për minerale në zonat nënujore të populluara me gjallesa.
“Ndryshe nga minierat në tokë, ne nuk bëjmë prerje, shpërthime apo tunele. Këto minerale gjenden vetëm në shtratin e oqeanit. Ne thjesht i mbledhim ato”, thotë Oliver Gunasekara, drejtues i firmës “Impossible Metals”.
Firma tjetër amerikane “Viridian Biometals”, zëvendëson procesin intensiv të shkrirjes së metalit duke shfrytëzuar bakteriet, që mund të ndajnë mineralin e metalit nga shkëmbi rreth tij.
“Ne shfrytëzojmë pak pajisjet ndërsa bakteret tona bëjnë punën. Përdorimi i energjisë elektrike në këtë proces është tejet i vogël në krahasim me energjinë që përdoret gjatë proceseve të deritanishme”, thotë Eric Macris nga “Viridian Biometals”.
Kundërshtarët, megjithatë, thonë se nuk ka një mënyrë të sigurt për të mbledhur minerale në shtratin e oqeanit. Ata mbështesin vendosjen e një ndalese ndaj këtyre proceseve derisa të kryen studime më të qarta mbi rreziqet ndaj biodiversitetit nën ujë.
“Ajo që e dimë është se ka ende shumë për të zbuluar mbi shtratin e oqeanit ndërsa mundësia është e madhe për dëme të pariparueshme”, thotë Presidenti i Palaut, Surangel Whipps Jr.
Debati mbi këtë çështje po rritet krahas investimeve në burimet e rinovueshme në të gjithë globin.