Trump takohet me Zelenskyyn mes tensionesh e kritikash të republikanëve ndaj Ukrainës

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy po takohet sot në kullën Trump në Nju Jork me ish-Presidentin Donald Trump. Para takimit zoti Trump, tha se marrëdhëniet e tij, si me zotin Zelensky ashtu edhe me presidentin rus Putin janë shumë të mira dhe se nëse fiton zgjedhjet, do të angazhohet t’i japë fund luftës sa më shpejt. Takimi vjen pas kritikash të forta që zoti Trump ka bërë ditët e fundit ndaj zotit Zelenskyy. Presidenti ukrainas u prit gjithashtu dje në takim nga Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris për të diskutuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën. Ndërkohë ligjvënësit republikanë në Kongres, dënuan vizitën e zotit Zelenskyy në një fabrikë municionesh në Pensilvani, duke e quajtur atë një “aktivitet elektoral” të organizuar siç thane, “për të ndihmuar demokratët". Korrespondetja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton.

Your browser doesn’t support HTML5

Ish Presidenti Trump takohet me Presidentin Zelensky

Kandidati republikan për President, Donald Trump tha sot se do të punonte me Ukrainën dhe Rusinë për t'i dhënë fund luftës, përpara takimit në Nju Jork me udhëheqësin e ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë, por unë gjithashtu kam një marrëdhënie shumë të mirë, dhe me Presidentin Putin. Dhe mendoj se nëse fitojmë, do ta zgjidhim shumë shpejt, këtë çështje. Por ju e dini duhet dy vetë për të kërcyer një tango. Mendoj se fakti që jemi sot bashkë është një shenjë shumë e mirë dhe nëse do të fitojmë zgjedhjet mendoj se përpara se të marr mandatin e presidentit më 20 janar, mund të bëjmë diçka që është e mirë për të dyja palët. Mendoj se ka ardhur koha”, tha zoti Trump.

Duke folur para gazetarëve në “Kullën Trump”, zoti Zelenskiy tha se do të diskutonte me zotin Trump "planin e tij të fitores" për Ukrainën.

Takimi i sotëm vjen pasi ish-presidenti Trump ka shtuar kritikat ditët e fundit ndaj zotit Zelenskyy dhe administratës Biden, duke i fajësuar për zgjatjen e luftës që nisi me sulmin rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një marrëveshje do të ishte arritur nëse do të kishim një president të aftë në vend të një presidenti që e ka zgjatur luftën. Bideni dhe Kamala lejuan që kjo të ndodhte duke ushqyer Zelenskyyn me para dhe municione, siç nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend”, tha ish-Presidenti Donald Trump.

Komentet e zotit Trump kanë krijuar ankth jo vetëm në Ukrainë, por edhe në disa kryeqytete evropiane që kanë mbështetur përpjekjet e Kievit në luftë.

T'i japësh papritur Moskës gjithë atë avantazh, duke vënë në pikëpyetje armët që i dërgohen Ukrainës, apo mbështetjen politike për këtë vend, do të thotë t’i dorëzosh fitoren Moskës”, tha për Zërin e Amerikës Ian Lesser, ekspert i Fondit Gjerman Marshall me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Të enjten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua me Presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Më lejoni të jem i qartë. Rusia nuk do të triumfojë në luftë. Ukraina do të triumfojë dhe ne do të vazhdojmë t'u qëndrojmë pranë në çdo hap", tha Presidenti Biden.

Zoti Zelenskyy po nxit zotin Biden që të lejojë Ukrainën të përdorë armë amerikane për të goditur objektiva në thellësi të territorit rus, si pjesë e planit të tij për fitore.

Diskutova me Presidentin Biden planin e fitores. Sot po përgatitemi të diskutojmë detajet për ta forcuar atë, për të koordinuar qëndrimet, pikëpamjet dhe qasjen tonë”, tha zoti Zelenskyy.

Por Shtëpia e Bardhë tha se mbi këtë çështje nuk pritet së shpejti ndonjë njoftim.

Ndërkohë ligjvënësit republikanë kritikuan vizitën e zotit Zelenskyy të dielën në një fabrikë municionesh në Pensilvani, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Ata thanë se vizita ishte "një aktivitet elektoral”, organizuar sipas tyre “për të ndihmuar demokratët". Republikanët bënë thirrje për largimin e ambasadores së Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova.

"Ne ndodhemi para një gare të ngushtë, të nxehtë dhe nuk kemi nevojë që vendet e huaja të ndërhyjnë e të dëgjohen mendimet e tyre në një kohë si kjo", tha Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Zoti Zelenskyy zhvilloi një takim të veçantë me Nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten demokrate për presidente. Ajo nënvizoi se i takon Ukrainës të vendosë se si duhet të përfundojë lufta.

Zonja Harris kritikoi kandidatin republikan për Nënpresident JD Vance, propozimi i të cilit për t'i dhënë fund luftës, do të nënkuptonte një Ukrainë me më pak territor e që nuk do t’i bashkohej NATO-s.

Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit dhe le ta themi qartë, nuk janë propozime për paqe. Në ndryshim, ato janë propozime për t’u dorëzuar, gjë që është e rrezikshme dhe e papranueshme”, tha ajo.

Përpara vizitës së zotit Zelenskyy, Shtetet e Bashkuara njoftuan 8 miliardë dollarë ndihmë të re për Ukrainën, që ndër të tjera përfshin dhe armatime për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.