Kina kundërshton propozimin e Uashingtonit për ndalim të makinave me teknologji kineze

Ministria kineze e tregtisë tha të mërkurën se "kundërshton me vendosmëri" propozimin e Shteteve të Bashkuara për ndalimin e shitjeve të makinave të pajisura me programe kompjuterike dhe teknologji kineze apo ruse.

Shumica e makinave të reja mund të ndajnë të dhëna me makina dhe pajisje të tjera me ndihmën e programeve në bord, pajisjeve dhe qasjes në internet.

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë se të dhënat e mbledhura nga programet kineze apo ruse në makinat e reja autonome mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Një zëdhënës i ministrisë kineze të tregtisë tha se propozimi i Shteteve të Bashkuara për ndalimin e këtyre pajisjeve nuk ka "bazë faktike, shkel parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme dhe është një akt tipik proteksionist".

“Kina i kërkon Shteteve të Bashkuara të ndalojnë praktikën e saj të gabuar të përgjithësimit të sigurisë kombëtare, të revokojnë menjëherë kufizimet përkatëse dhe të ndalojnë kufizimet e paarsyeshme ndaj kompanive kineze”, thuhet në një deklaratë të ministrisë kineze të tregtisë.

Rregulli i propozuar është shembulli i fundit i përkeqësimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Në shkurt, administrata e Presidentit Biden tha se do të hetonte makinat kineze që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Departamenti Amerikan i Tregtisë tha se hapi hetimin sepse automjetet “mbledhin sasi të mëdha të dhënash private të shoferëve dhe pasagjerëve të tyre dhe përdorin rregullisht kamerat dhe sensorët e tyre për të regjistruar informacione të detajuara mbi infrastrukturën amerikane”.

Administrata e Presidentit Biden zbatoi gjithashtu një tarifë 100% ndaj makinave elektrike të prodhuara në Kinë në fillim të këtij muaji, duke përmendur praktikat e padrejta të biznesit dhe potencialin që automjetet elektrike kineze të vërshojnë tregjet ndërkombëtare.

Përmes një deklarate për shtyp të martën, Koalicioni për një Amerikë të Begatë shprehu mbështetjen e tij për propozimin amerikan.

“Për vite të tëra, Partia Komuniste Kineze është përqendruar në mënyrë agresive në mbizotërimin global të industrisë së makinave, duke prodhuar më shumë se sa nevojat e tregut e tyre vendas për ta kontrolluar atë dhe për të përhapur prodhimin e makinave të tyre në mbarë botën,” tha Drejtori Ekzekutiv i Koalicionit për një Amerikë të Begatë, Michael Stumo.

“Ndalimi i propozuar nga Departamenti i Tregtisë për këtë teknologji është një masë e rëndësishme për të mbrojtur sektorin tonë të prodhimit të makinave dhe për të mbrojtur të dhënat private të amerikanëve”, shtoi ai.

Ministria kineze e tregtisë dënoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të mërkurën për ndalimin dhe tarifat e propozuara rishtazi në fillim të këtij muaji, duke thënë se Uashingtoni vendosi "tarifa të larta për makinat kineze, kufizoi pjesëmarrjen e kompanive kineze në prokurimet qeveritare dhe futi politika diskriminuese të subvencionimit".

“Tani, bazuar në të ashtuquajturën siguri kombëtare, Uashingtoni ka përhapur informacion të dëmshëm mbi programet dhe pajisjet e makinave nga Kina, duke i klasifikuara ato si “të pasigurta” dhe ka kufizuar përdorimin e tyre në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të ministrisë kineze të tregtisë.

Një pjesë e të dhënave në këtë artikull u morën nga Agence France-Presse.