Kina kryen provë me raketë balistike në Paqësor 

  • VOA

Raketa balistike ndërkontinentale e Kinës

Kina kreu një provë me një raketë balistike ndërkontinentale, me mbushje mësimore joluftarake, në Oqeanin Paqësor, njoftoi të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.

"Raketa ra në zonat e parashikuara detare" tha ministria në një njoftim për shtypin të postuar në faqen e saj të internetit. “Prova ëshë pjesë e një plani vjetor rutinë stërvitjeje. Ajo u krye në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe praktikat ndërkombëtare dhe nuk synonte asnjë vend apo objektiv”, shtuan më tej zyrtarët kinezë.

Kina "informoi vendet e interesuara paraprakisht", sipas një njoftimi të bërë nga agjencia e lajmeve ‘Xinhua’, i cili nuk specifikoi trajektoren që përshkoi raketa ose vendin ku ajo ra në Paqësor.

Më këtë lëshim u provuan në mënyrë efektive fuqia e armëve dhe pajisjeve si dhe niveli i përgatitjes së trupave, njoftoi ‘Xinhua’.

Sipas agjencisë ‘Associated Press’ në vitin 1980, Kina lëshoi një raketë balistike në pjesën jugore të Paqësorit. Agjencia vuri në dukje se një hartë e botuar në gazetat kineze të asaj kohe, tregonin se zona e synuar ishte hapësira mes ishujve Solomon, Nauru, Gilbert, Tuvalu, Samoa, Fixhi dhe Hebridet e Reja.

Një analist i tha agjencisë së lajmeve ‘France-Presse’ se Kina zakonisht ka kryer prova të tilla në hapësirën e saj ajrore.

"Kjo është jashtëzakonisht e pazakontë dhe ka të ngjarë të jetë hera e parë në dekada që shohim një provë të tillë", tha Ankit Panda, ekspert i institutit të politikave për Paqe Ndërkombëtare ‘Carnegie’.

Prova me gjasë është tregues i modernizimit të vazhdueshëm bërthamor të Kinës shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të mërkurën se kishte zbuluar 23 avionë ushtarakë kinezë që operonin rreth Tajvanit, dhe se së fundmi kishte pikasur gjithashtu lëshime "intensive" të raketave kineze e stërvitje të tjera.

Tajvani ka dërguar forcat e veta ajrore dhe detare për të vëzhguar, thanë zyrtarët tajvanezë..