Një gjykatë në Prishtinë vendosi të shtyjë të mërkurën seancën e parë gjyqësore ndaj 45 personave të akuzuar për përfshirje në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Vendimi pasoi kërkesën e avokatëve të tre të akuzuarve që mbahen në paraburgim, të cilët kërkuan më shumë kohë për përgatitje.
Your browser doesn’t support HTML5
Në gjykatë u paraqitën tre nga të akuzuarit të cilët u arrestuan një vit më parë si pjesë e një grupi serbësh të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer policie. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve me policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit 2023.
Avokati Lubomir Pantoviç që mbron një nga të arrestuarit tha se shtyrja e seancës për dy javë ishte e arsyeshme.
“Prokuroria e Posaçme e vendosi mbrojtjen në një situatë të pafavorshme, duke na dhënë një aktakuzë prej 158 faqesh dhe mijëra faqe materiale pothuajse vetëm një ditë e gjysmë para fillimit të gjykimit fillestar. Kjo është një fazë shumë e rëndësishme e procedurës dhe nuk ishte e mundur të përgatiteshim në një kohë kaq të shkurtër për një çështje të rëndësishme që duhej të diskutohej sot. Të akuzuarit që janë në gjyq, të cilët përballen me një dënim të lartë, deri më sot nuk u është vënë aktakuza, prandaj as nuk e dinë se për çfarë akuzohen”, tha ai.
Avokati Arianit Koci që përfaqëson familjen e oficerit të vrarë Afrim Bunjaku, tha se ky është gjykim i vështirë ndërsa theksoi se ka propozuar që çështja e gjykimit në mungesë të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e vendit, pasi që një praktikë e tillë ende nuk është përdorur në Kosovë.
“Por, nuk guxojmë ta bëjmë asnjë gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit të mos na kthej në rigjykim, pra në këtë kuptim unë mendoj që duhet të shkoj vetë procesi i gjykimit. Nuk ka pasur pasoja të rëndë vetëm për të dëmtuarit por ka mundur të ketë pasoja të rënda edhe vet rendin kushtetues të Kosovës sidoqoftë i kemi 42 persona të cilët nuk janë nën drejtësinë e Kosovës, pra janë në arrati, lajmi i mirë është se gjithë këta pra 42 persona janë në kërkesën e kuqe të Interpolit, pra asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshojë më Serbinë, përndryshe do të arrestohet menjëherë”, tha zoti Koci.
Me 11 shtator, Prokuroria e Posaçme e Kosovës shpalli ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin në fshatin Banjskë. Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe Milan Radoiçiç i cili, siç thuhet në aktakuzë, si udhëheqës i grupit ka luajtur rol të rëndësishëm në bashkërendimin dhe veprimtarinë kriminale.
Sipas prokurorisë të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i veprimtarive terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, makina të blinduara e mbi 1200 armë.
Një ditë më parë, udhëheqës institucionesh vendase e ndërkombëtare bënë thirrje për vënien para drejtësisë të autorëve të sulmit, i cili është cilësuar si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian.
Lexoni edhe këtë Kosova shënon njëvjetorin e sulmit në veri me thirrjet për vënien e drejtësisëMilan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit ndërsa ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u gjykuar nga autoritetet vendase.
Beogradi ka mohuar të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua nga autoritetet serbe, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.
Por, një ditë pas ndalimit një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi duke ja caktuar masën e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe duke i ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.