Tiranë, konferencë e OKB-së: Barazia gjinore në rajon, një sfidë e vazhdueshme

Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara pohuan sot në Tiranë se fuqizimi i grave dhe barazia gjinore mbeten sfida të përhershme; në disa zona të botës ka përmirësime të ndjeshme, por në disa rajone të tjera gjendja është shumë e rëndë.

Komentet u bënë sot në një konferencë ndërkombëtare, të organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe qeveria shqiptare.

Veprimtaret e të drejtave të njeriut pohuan për Zërin e Amerikës, se megjithë rritjen e shifrave në përfaqësimin e grave, situata e tyre vazhdon të jetë shqetësuese, sidomos sa i takon pushtetit vendor dhe partive politike.

Në konferencën e Kombeve të Bashkuara, ku morën pjesë 19 shtete nga Evropa dhe Azia, u theksua se për shkak të luftërave dhe ndryshimeve të ashpra politike barazia gjinore dhe të drejtat e grave janë dobësuar.

Drejtoresha rajonale e UN Women për Evropën dhe Azinë, Belen Sanz Luque, tha se 3 dekadat e fundit pas platformës së Pekinit është arritur përparim sa i takon pjesëmarrjes së grave në vendimmarrjen publike dhe në ekonomi.

“Përherë e më shumë po bëhen ligje kundër diskriminimit dhe dhuna kundër grave e vajzave. Përherë e më shumë vajza po shkojnë në shkolla dhe po i përfundojnë ato. Bota sot ka shumë sfida, por ne po ndërtojmë një shpresë, megjithatë ende ka edhe shumë zona të tjera në botë, ku përparimi është mjaft i ulët”, tha drejtoresha Belen Sanz Luque.

Ndërsa autoritetet e Shqipërisë përmendin rritjen e vazhdueshme të numrit të grave dhe vajzave në administratën e lartë shtetërore, parlament dhe qeveri, veprimtaret e të drejtave të njeriut janë skeptike për diferencën e madhe mes shifrave të pushtetit qendror dhe atij vendor.

Ines leskaj, përfaqësuese e Rrjetit për Fuqizimin e Gruas, tha për Zërin e Amerikës se në nivel vendor mungon zëri i grave nga qyteti dhe nga fshati, si dhe mungon demokracia e brendshme të partive politike sa u takon çështjeve gjinore.

“Ndryshe nga shifrat, çështja është sa këto gra lejohen të jenë përfaqësuese, sa këto parti lejojnë gratë të ngrenë zërin, sa këto parti i shtyjnë gratë të mos jenë thjesht një karton i ngritur në emër të kryetarit të partisë. Të gjitha këto çështje në thelb kanë demokracinë e brendshme, ku nisur nga statuti i partisë, ku mungon përfaqësimi i duhur i grave. Duket sikur gratë vazhdojnë të mbeten një numër për hir të ligjeve”, tha zonja Leskaj.

Kosova vjen me një përvojë të pasur afro 20 vjeçare të Agjencisë për Barazi Gjinore pranë zyrës së kryeministrit, si dhe krijon mekanizma institucionalë të kësaj fushe në nivelin më të lartë të vendimmarrjes, ashtu si e kërkon platforma e Pekinit.

Drejtuesja e kësaj agjencie Edi Gusia thotë për Zërin e Amerikës se në Kosovë gjysma e deputeteve zonja kanë hyrë në parlament me votat e veta e jo me kuota.

Ndërsa fusha tjetër ku Kosova sjell një përvojë të veçantë është verifikimi i statusit të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Është vet shteti, i cili mbështet të mbijetuarat në baza të rregullta dhe pa dallim etnie, mbështet organizatat joqeveritare, të cilat u ofrojnë grave të mbijetuara të dhunës seksuale, duke krijuar një model të reparacionit (dëmshpërblimit), i cili nuk mund të gjendet askund në botë dhe po merret si shembull në nivel global”, tha zonja Gusia.

Situata në Shqipëri sa u takon çështjeve gjinore paraqitet me pamje të kundërta, pohuan veprimtaret: nga një anë përherë e më shumë gra e vajza punojnë në administratë publike dhe deri në nivele të larta ministrore dhe parlamentare, ndërsa nga ana tjetër vijon të jetë e përhapur dhuna në familje ndaj grave dhe vajzave dhe diskriminimi i tyre në shtëpi dhe në punë përmes pagave të ulëta, trajtimit të dobët shëndetësor apo dhe shkollimit të pamjaftueshëm ose të ndërprerë.