Udhëheqës institucionesh vendase e ndërkombëtare bënë thirrje të martën për vënien para drejtësisë të autorëve të sulmit të një viti me parë në veri të Kosovës, në të cilin u vra oficeri i policisë Afrim Bunjaku.
Sulmi u krye nga një grup serbësh të armatosur, tre pjesëtarë të të cilit u vranë gjatë përleshjeve me policin e Kosovës më 24 shtator të vitit 2023.
Your browser doesn’t support HTML5
Udhëheqës të Kosovës dhe diplomatë perëndimorë i bënë nderime policit të vrarë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për sulmin.
“E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë”, tha ai.
“Afrim Bunjaku është hero i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe të paprekshmërisë territoriale të Kosovës. Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcënohet se si duhet të jepet jeta dhe se si duhet të vetmohohet individi për të mirën e përgjithshme, për lirinë tonë e cila duhet të kultivohet nga të gjithë ne”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se rënia e rreshterit Afrim Bunjaku ka treguar se liria nuk ka çmim dhe se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, “e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm!”.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se “Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre dhe presin që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, shkroi se blloku bën thirrje për ndjekje të shpejtë të atyre që janë përgjegjës dhe rikonfirmon përkushtimin e tij për drejtësi dhe përgjegjësi. Ai shkroi në rrjetet sociale se sulmi “është një kujtesë e nevojës për përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e sigurisë dhe çuarjen përpara të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Sulmi i një viti më parë ishte cilësuar si terrorist nga autoritetet në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kanë kërkuar vënien e autorëve para drejtësisë.
Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit ndërsa ka kërkuar që sulmuesit të dorëzohen në Kosovë për t’u gjykuar nga autoritetet vendase.
Beogradi ka mohuar të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinë.
Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, u ndalua nga autoritetet serbe, disa ditë pasi mori përsipër sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri.
Lexoni edhe këtë Vritet një pjesëtar i policisë së Kosovës në veri – mbeten të vrarë tre nga sulmuesitPor, një ditë pas ndalimit një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi duke ja caktuar masën e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe duke i ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës”.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës në fillim të shtatorit shpalli ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë, në një nga ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Sipas prokurorisë të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i veprimtarive terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave.
Prokuroria e Posaçme tha se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, makina të blinduara e mbi 1200 armë.
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve, pritet të fillojë të mërkurën në Prishtinë.