Pentagoni dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme mes rritjes së frikës së zgjerimit të luftës

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një numër të vogël trupash shtesë në Lindjen e Mesme pas një intensifikimit të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut në Liban, tha të hënën zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.

Zoti Ryder nuk dha hollësi të tjera mbi numrin e forcave apo rolin e tyre në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës se mund të bëhet fjalë për dhjetëra trupa dhe detyra e tyre kryesore do të jetë përgatitja për një evakuiim të mundshëm të qytetarëve amerikanë, nëse do të shpërthente një luftë më e madhe rajonale.

Lexoni edhe këtë Qindra të vrarë nga sulmet izraelite në Liban, dita më vdekjeprurëse që nga viti 2006


Një zyrtar tjetër amerikan theksoi se situata nuk ka arritur ende në pikën kur një evakuuim me ndihmën e ushtrisë i shtetasve amerikanë nga rajoni është i nevojshëm.

Nëse nevojitet një evakuiim i qytetarëve amerikanë, mund të përdoret një kontigjent i marinsave amerikanë, që tashmë ndodhet atje dhe mund të realizojë këtë detyrë, i tha Zërit të Amerikës një tjetër zyrtar. Të gjithë folën në kushte anonimiteti.

Zoti Ryder, në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës të hënën, u tha gazetarëve se Pentagoni është një "organizatë planifikuese" që është e përgatitur për një "një numër të madh të rastësive", nëse kërkohet ndihma e ushtrisë amerikane.

“Ne kemi prani më të madhe në rajon sot se sa më 14 prill, kur Irani kreu sulmin e tij me dron dhe raketa kundër Izraelit”, tha ai.

Njoftimi pason sulmet izraelite ndaj pozicioneve të Hezbollahut brenda Libanit, në të cilat u vranë qindra njerëz. Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largohen nga Libani për shkak të rritjes së rrezikut të një lufte rajonale.