Zjarret në Brazil kanë shkatërruar një sipërfaqe pyjore prej 11 milionë hektarësh këtë vit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechart nga Sao Paulo, kombinimi i thatësirës së madhe, temperaturave mbi mesataren dhe rrymave ajrore jashtëzakonisht të thata, kanë ndikuar në intensifikimin e zjarreve. Shkencëtarët thonë se Brazili po përjeton efektet e ngrohjes globale dhe se e ardhmja mund të sjellë akoma më shumë probleme.
Your browser doesn’t support HTML5
Zjarret këtë vit kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha të pyjeve tropikale të Amazonës në Brazil. Zona të pasura bujqësore dhe madje edhe periferi të qyteteve braziliane janë djegur nga zjarret masive. Zonat e djegura llogariten të jenë sa sipërfaqja e Portugalisë.
Zjarret u intensifikuan gjatë gushtit dhe shtatorit, të nxitura nga temperaturat e larta mbi mesataren, mungesa e madhe e reshjeve dhe rrymat ajrore jashtëzakonisht të thata, me nivele lagështie në disa rajone që llogariten nën 10%.
“Rritja graduale e temperaturës, pakësimi i reshjeve dhe shtimi i rasteve të motit ekstrem janë pjesë e ndryshimeve klimatike globale me të cilat po përballet i gjithë planeti. Megjithatë, vendet tropikale, veçanërisht Brazili, janë shumë më të cenuara.”
Paulo Artaxo, shkencëtar për klimën, i ka kushtuar jetën studimit të ndikimit të ndryshimeve klimatike. Ai nuk shpreh habi për situatën aktuale dhe parashikon një të ardhme edhe më sfiduese për eksportuesit bujqësorë si Brazili.
“E ardhmja e Brazilit, e cila mbështetet tek eksporti i sojës dhe mishit, nuk do të jetë aq e mirë në të ardhshmen, siç ka qenë gjatë 30 apo 40 viteve të fundit”, thotë për Zërin e Amerikës shkencëtari Paulo Artaxo.
Brazili është eksportuesi më i madh në botë i sojës, kafesë, sheqerit, mjaltit organik, duhanit dhe mishit.
Zjarret po dëmtojnë sektorin bujqësor. Në Sao Paulo, rajoni më i madh i prodhimit të kallamsheqerit në vend, humbjet bujqësore vlerësohen në rreth 400 milionë dollarë.
Një ekip në zyrat e qeverisë në Sao Paulo vëzhgon me satelitë vatrat e zjarrit. Ata synojnë të parandalojnë përhapjen e zjarreve të vogla dhe të reduktojnë humbjet.
“Situata ndikon shumë tek jeta e banorëve. Janë ndërprerë aktivitetet shkollore. Spitalet janë mbingarkuar me pacientë me probleme të frymëmarrjes. Zjarret cenojnë të gjithë banorët”, thotë Caio Veneziani me Mbrojtjen Civile të shtetit të Sao Paulos.
Reja e madhe e tymit mbuloi rreth 60% të qiellit të Brazilit, duke ulur në mënyrë drastike cilësinë e ajrit në shumë qytete të mëdha. Thatësira e madhe në Amazonë e ka përkeqësuar situatën, duke izoluar komunitete të tëra që varen nga lumenjtë që po thahen.