Ukraina tha të shtunën se kishte goditur gjatë natës dy depo ruse me municione, sulme që duket se tregojnë aftësinë në rritje të Kievit për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.
Në një deklaratë, shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha se depot e municioneve ndodheshin në Tikhoretsk, në jug të Rusisë, si edhe në Oktiabrski, në rajonin perëndimor të Tverit.
"Ajo e Tikhoretskut është një nga tre depot më të mëdha të municioneve të pushtuesve dhe është një nga pikat kyçe në sistemin logjistik ushtarak rus," shkroi shtabi i përgjithshëm në një deklaratë në rrjetin Telegram.
Shtabi tha se Ukraina kishte informacione se një tren që transportonte 2,000 ton municione, përfshirë ngarkesa nga Koreja e Veriut, ndodhej pranë depos në kohën e sulmit.
Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur njoftimet. Rusia nuk ka bërë ende ndonjë koment.
Një burim i nga organet e sigurisë së Ukrainë, duke folur në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Reuters, tha se në sulme u përdorën dronë.
Ndërkohë, tre persona humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse në qytetin Krivi Rih, njoftuan autoritetet ukrainase.
Sulmi la të vratë një 12 vjeçar dhe dy gra të moshuara, deklaroi guvernatori rajonal Serhiv Lysak. “Përsëri, një sulm i trmerrshëm i armikut në Krivi Rih. Në mes të natës, kur qyteti flinte”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
Ai tha se tre persona të tjerë u plagosën dhe më shumë se 22 banesa u dëmtuan.
Krivi Rih, qyteti më i madh për prodhimin e çelikut, ndodhet pranë territoreve të kontrolluara ng Rusia dhe është vazhdimisht objektiv i sulmeve ajrore ruse.
Ndërsa kanë kaluar më shumë se 2 vite e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se ka një plan për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe synon që t’ia prezantojë Presidentit Joe Biden gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator.
Presidenti Zelenskyy do të ketë një takim të veçantë edhe me Nënpresidenten Kamala Harris ndërsa deklaroi se shpreson të ketë edhe një takim me kandidatin republikan për president Donald Trump.
Ish Presidenti Trump dhe zoti Zelenskyy kanë biseduar në telefon në muajin korrik, por nuk janë takuar personalisht që nga largimi i zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Një ditë më parë Bashkimi Evropian u zotua t'i japë Ukrainës deri në 39 miliardë euro si pjesë e një kredie të organizuar nga grupi i shtatë (G7) vendeve kryesore industriale të botës. Qëllimi i ndihmave të G7-ës është të ndihmojë vendin të rindërtojë ekonominë dhe rrjetin energjetik të tij të shkatërruar nga lufta.