Muajt e parë të vitit 2024 kanë qenë më vdekjeprurësit për motoçiklistët në Sao Paulo, shteti më i populluar dhe më i pasur në Brazil. Mesatarisht, pothuajse shtatë njerëz në ditë humbin jetën nga aksidentet me motoçikleta në Sao Paulo. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Yan Boechat nga Sao Paulo, ekspertët e shëndetit publik dhe të trafikut rrugor thonë se arsyeja kryesore për këtë është zgjerimi i shpejtë i aplikacioneve për shpërndarjen e ushqimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Francisco Pereira e konsideron veten një njeri me fat. Në ditën e Krishtlindjes vitin e kaluar, një makinë goditi motoçikletën e tij në një rrugë të ngarkuar në periferi të Sao Paulos. Ai humbi një nga këmbët ditën e aksidentit dhe tjetrën pas disa javësh, pasi mjekët nuk mund t’ia shpëtonin.
“Aksidenti ndodhi më 25 dhjetor. Po kthehesha nga një festë familjare kur një makinë tentoi të më kalonte dhe më përplasi. Humba njërën këmbë në çast”, thotë ai.
Pavarësisht përfundimit tragjik, Francisco është i lumtur që është gjallë. Vitet e fundit, mijëra të rinj si ai kanë humbur jetën në aksidentet me motoçikleta në Sao Paulo. Shumë prej tyre, ashtu si Francisco, punonin me aplikacionet e shpërndarjes së ushqimeve.
Sipas të dhënave nga autoriteti i trafikut në Sao Paulo, gjashtë muajt e fundit kanë qenë më vdekjeprurësit për motoçiklistët në shtetin më të populluar dhe më të pasur të Brazilit. Mesatarisht, pothuajse shtatë njerëz në ditë vdesin në aksidentet me motoçikleta, në shtetin, ku jeton mbi 20 për qind e 210 milionë banorëve të Brazilit. Në dhjetë vitet e fundit, pothuajse 20,000 motoçiklistë kanë vdekur vetëm në Sao Paulo.
“Po shohim një numër më të madh drejtuesish të automjeteve që punojnë për sistemin e shpërndarjes së ushqimit pa patur përvojën e duhur, pasi kjo është një mënyrë e sigurimit të të ardhurave. Nga ana tjetër, konsumatorët gjithnjë e më shumë i kërkojnë ato që porositin sa më të shpejtë”, thotë Dr. Linamara Rizzo Battistella nga Qendra e Rehabilitimit “Lucy Montoro”.
Ajo është themeluese e një prej qendrave kryesore të rehabilitimit në Brazil, Spitalit “Lucy Montoro”. Ajo thotë se zgjerimi i tregut të dërgesave në Brazil gjatë dekadës së fundit është një nga arsyet kryesore të vdekjes së kaq shumë të rinjve në rrugë.
“Është e qartë se duhet të kemi mbrojtje për punëtorët dhe ndëshkime për kompanitë që nuk kontrollojnë numrin e dërgesave nga shoferët e tyre”, thotë ajo.
‘Ifood’, aplikacioni kryesor i dërgesave të ushqimeve në Brazil me të ardhura bruto prej 10 miliardë dollarësh vitin e kaluar, thotë se nuk ka të dhëna që vërtetojnë një lidhje midis rritjes së vdekjeve të motoçiklistëve dhe zgjerimit të shërbimeve të aplikacioneve të shpërndarjes së ushqimit. Kompania thotë se vetëm 0.6 për qind e motoçikletave, që qarkullojnë në Brazil, punojnë për shërbimet e saj.
Një studim i fundit i kryer nga Instituti për Studime Ekonomike, një organizatë qeveritare braziliane, tregon se mes viteve 2016 dhe 2022, numri i njerëzve që punonin si motoçiklist u rrit me pothuajse 1200 për qind.
Alan Freiria është njëri prej tyre. Ai filloi të punojë si shpërndarës ushqimesh pesë vjet më parë.
"Merrem me dërgesat e ushqimit, me dërgesat e picave sepse fitoj më shumë. Kjo është një punë më e rrezikshme. Kam humbur tashmë miq, kam pasur aksidente dhe jam rrëzuar, por kjo është jeta. Nuk është diçka me të cilën dua të merrem përgjithmonë”, thotë ai.
Alani dëshiron të ketë një punë më të qëndrueshme dhe më pak të rrezikshme, por thotë se është e vështirë të gjesh një punë të tillë me të njëjtën pagesë që ai siguron nga shpërndarja e ushqimeve.