Ligjet e Kalifornisë synojnë reklamat e rreme politike dhe dezinformatat

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, nënshkroi këtë javë tre ligje që kufizojnë rolin që ‘inteligjenca artificiale’, veçanërisht materialet e rreme me zë apo video, mund të luajnë në fushatat zgjedhore. Ky vendim mund të ketë ndikim të madh në zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara.

Njëri prej ligjeve, i cili hyri në fuqi menjëherë, e bën të paligjshme shpërndarjen e “materialeve me audio ose imazhe të manipuluara të një kandidati” gjatë 120 ditëve përpara zgjedhjeve dhe 60 ditët që pasojnë.

Një ligj tjetër kërkon që reklamat e zgjedhjeve, që përdorin përmbajtje të krijuar me inteligjencë artificiale, duhet ta bëjnë të qartë për shikuesit ose dëgjuesit se është përdorur kjo lloj teknologjie.

Ligji i tretë kërkon që platformat e mëdha në internet të ndërmarrin hapa për të bllokuar publikimin e “materialeve me përmbajtje të manipuluara në lidhje me zgjedhjet në Kaliforni”. Sipas ligjit, çdo material i tillë duhet hequr nga rrjetet sociale brenda 72 orëve nga paralajmërimi.

“Ruajtja e integritetit të zgjedhjeve është thelbësore për demokracinë dhe është thelbësore që të sigurohemi që të mos përdoret inteligjenca artificiale për të minuar besimin e publikut përmes dezinformimit, veçanërisht në klimën e tensionuar politike të sotme”, tha në një deklaratë guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.

“Këto masa do të ndihmojnë në luftimin e përdorimit me synime keqdashëse të videove të manipuluara përmes inteligjencës artificiale ‘deepfakes’ në reklamat politike dhe përmbajtje të tjera, një nga disa fusha në të cilat shteti është proaktiv për të nxitur shfrytëzimin e inteligjencës artificiale në mënyrë transparente dhe të besueshme”.

Ndërsa Kalifornia nuk është i vetmi shtet me ligje rregullatore për përdorimin e videove të manipuluara përmes inteligjencës articiale në reklamat politike, zbatimi i ndalimit deri në 60 ditë pas zgjedhjeve është unik dhe mund të kopjohet edhe nga shtete të tjera. Me kalimin e viteve, Kalifornia ka qenë shpesh e para që ka ndikuar tek shtetet e tjera për miratimin e shumë ligjeve.

Kundërshtimet nga korporatat e teknologjisë

Aplikacionet e rrjeteve sociale dhe aktivistët të cilët e mbrojnë lirinë e fjalës pritet që t’i sfidojnë ligjet, duke pohuar se ato cenojnë lirinë e shprehjes, një e drejtë që garantohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Një kundërshtar i njohur i këtyre ligjeve është miliarderi Elon Musk, pronar i platformës X, i cili ka përdorur pothuajse pandërprerë këtë rrjet social për të shprehur mbështetjen e tij për kandidatin republikan për president Donald Trump.

Në korrik, zoti Musk ndau një video që përdorte inteligjencën artificiale për të imituar zërin e Nënpresidentes Kamala Harris. Në video, zëri i klonuar e përshkruan zonjën Harris si një “kukull të një sistemi politik të fshehtë që njihet si ‘deep state’.

Të martën, pasi guvernatori i Kalifornisë Newsom nënshkroi ligjet e reja, zoti Musk e publikoi edhe një herë videon, duke shkruar: “Guvernatori i Kalifornisë sapo e bëri këtë parodi një video të paligjshme në kundërshtim me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Kongresi mund të ndërmarrë veprime

Shumica e përpjekjeve legjislative lidhur me ndikimin e inteligjencës artificiale në politikë, deri më tani, janë bërë në nivel shtetëror. Megjithatë, këtë javë, një grup ligjvënësish dypartiak në Kongres propozoi një masë që do të autorizonte Komisionin Federal të Zgjedhjeve që të mbikëqyrte përdorimin e inteligjencës artificiale nga ekipet e fushatave politike.

Në mënyrë të veçantë, kjo do t'i lejonte agjencisë t’i ndalonte ato që të përdorin këtë teknologji për të manipuluar citimet e një rivali politik.

Gjatë një takimi të organizuar nga organizata mediatike ‘Politico’ këtë javë, Nënprokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkara, Lisa Monaco, tha se kishte një nevojë të qartë për ligje që rregullojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në fushatat politike dhe shprehu besimin e saj se Kongresi do të vepronte.

Ndërsa inteligjenca artificiale premton shumë përfitime, ajo gjithashtu “po lehtëson ndërhyrjen e aktorëve keqdashës”, tha ajo. “Kam besim se do të ketë ndryshime në ligj me kalimin e kohës”, shtoi ajo.

Roli minimal në fushatë deri tani

Ndërsa afrohej fillimi i fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka patur shqetësime të gjera se përdorimi i teknologjisë që mundëson manipulimin e pamjeve filmike apo zëtit, do të krijonte një volum të madh përmbajtjesh mashtruese. Kjo nuk ka ndodhur në të vërtetë, tha kryeredaktorja e faqes së internetit që merret me verifikimin e materiale të manipuluara ‘PolitiFact’, Katie Sanders.

“Nuk doli ashtu siç kishin frikë shumë njerëz”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Ende nuk e di nëse ky është një lajm krejtësisht i mirë, sepse ka ende shumë dezinformata që shpërndahen në reklamat politike. Thjesht nuk janë krijuar nga inteligjenca artificiale. Manipulimet po bëhen duke u mbështetur në të njëjtat truke për qëndrimet e kundërshtarëve politikë ose nxjerrjen e përfundimeve duke i nxjerrë thëniet e tyre nga konteksti”.

Zonja Sanders tha se ekipet e fushatave zgjedhore mund të ngurrojnë të përdorin inteligjencën artificiale për manipulim, sepse votuesit “janë mosbesues ndaj inteligjencës artificiale”.

“Aktualisht, materialet e manipuluara përmes inteligjencës artificiale janë postuar nga llogari më të vogla, llogari anonime. Me raste ato po shpërndahen mjaftueshëm pasi po shpërndahen nga njerëz që konsiderohen pjesë të elitës në platformat politike”, tha ajo.