Përmbytjet në Evropë, mund të nevojiten miliarda euro për përballimin e dëmeve

Përmbytjet në Nysa të Polonisë

Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje në pjesë të mëdha gjatë ditëve të fundit në disa vende të Evropës Qendrore si në Poloni, Çeki, Sllovaki, Rumani dhe Austri. Janë raportuar të paktën 16 të vdekur. Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se Bashkimi Evropian duhet të krijojë një fond emergjence prej të paktën 1 miliard e gjysmë eurosh për të ndihmuar vendet e dëmtuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Përmbytjet në Evropë, mund të nevojiten miliarda euro për përballimin e dëmeve

Janë raportuar të paktën 16 të vdekur në rajon, shtatë persona në Rumani, pesë në Poloni, tre në Çeki dhe një person në Austri.

Në Poloni përmbytjet kanë çarë digat dhe rrethimet. Pas tërheqjes së ujërave rrugët mbetën të mbuluara me baltë dhe mbetje. Një spital në qytetin Nysa u detyrua të evakuonte pacientët. Shumë qytete polake, përfshirë kryeqytetin Varshavë, kanë bërë thirrje për dhurime ushqimesh për të ndihmuar të mbijetuarit.

Gjatë vizitës në një organizatë ndihmash, Kryeministri polak Donald Tusk, tha se priste një vizitë urgjente nga Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masat për ndihma.

“Janë dy sisteme ndihmash evropiane në rastin e përmbytjeve. I pari nuk lidhet me paratë, por me kapacitetet që ka Evropa në pajisje, personel dhe teknologji – ky është mekanizmi i mbrojtjes civile... Ndërsa ndihma financiare vjen vetëm pas vlerësimit të pasojave të përmbytjeve. Do të duhet të jetë të paktën 1 miliard, 1 miliard e gjysmë euro. Jo vetëm për Poloninë, por një fond emergjence në Bashkimin Evropian, nga i cili do të mund të tërheqim para”, tha Kryeministri Tusk.

Ushtarakët dhe banorët në Poloni duke vendosur thasë me rërë për t'u mbrojtur nga përmbytjet

Nga ana e saj qeveria polake do të japë menjëherë rreth 260 milionë dollarë ndihma financiare për të dëmtuarit.

Ndërsa përmbytjet përfshinë pjesë të mëdha të Çekisë, Sllovakisë dhe Austrisë, edhe vende të tjera po përgatiteshin për dëme të mëdha.

Kryeministri hungarez Viktor Orban urdhëroi dislokimin e ushtrisë për të përforcuar barrierat përgjatë lumit Danub, dhe mijëra vullnetarë iu bashkuan ushtarëve për të mbushur thasë me rërë në dhjetëra pika të banuara përgjatë lumit.

Në Çeki janë goditur më rëndë dy rajone në pjesën verilindore. Qeveria ka miratur dislokimin e 2 mijë ushtarëve për të ndihmuar me pastrimin e vendit. Dëmet e shkaktuara mendohet se arrijnë në miliarda euro.

Qeveria çeke po mundohet gjithashtu të gjejë një zgjidhje për mbajtjen e zgjedhjeve lokale që ishin planifikuar të mbaheshin këtë javë, të premten dhe të shtunën. Shumë prej shkollave dhe godinave që do të shërbenin si qendra votimi janë dëmtuar rëndë dhe shumë çekë gjetën mbështetje tek organizatat e ndihmave.

Ekipet e emergjencave në Çeki

“Aktualisht iu ofrojmë mbështetje psikologjike dhe sociale. Mësojmë se cilat janë nevojat e tyre bazë dhe u japim sendet e nevojshme higjenike dhe kujdesin psikologjik”, thotë Johana Habiballa, zëdhënëse e Kryqit të Kuq.

Pasi ushtria evakuoi shumë persona me helikopterë, ujërat që u tërhoqën nga e hëna, lanë pas shtëpi të shkatërruara dhe rrugë të dëmtuara. Shumë persona mbetën pa ujë dhe drita, ndërsa u njoftua se në mbarë vendin rreth 120 mijë banesa nuk kishin furnizim me energji.

Autoritetet në mbarë Evropën Qendrore po përgatiteshin për një përkeqësim të mundshëm të përmbytjeve. Nga disa vlerësohej se për shembull në qytetin jugperëndimor polak Wroclaw, i gjendur përgjatë Lumit Oder, përmbytjet do të arrinin kulmin të premten, megjithëse ka patur parashikime kontradiktore nga metereologët.