Në Tiranë, diplomatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësuan si “të jashtëzakonshme” punën e SPAK-ut në trajtimin e korrupsionit. Drejtoresha për Çështjet e Europës Jugore-Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit, Colleen Hyland, tha në një konferencë rajonale se “Shqipëria duhet ta trajtojë këtë problem dhe të ndryshojë sjellje”, teksa përpiqet të tërheqë investime të huaja dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Your browser doesn’t support HTML5
Zonja Hyland pohoi se korrupsioni është një çështje e madhe, një problem i madh në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri si dhe në shumë vende.
Ajo theksoi se “Shqipëria dëshiron të tërheqë investime të huaja dhe për të arritur këtë, duhet të ndryshojë sjellje dhe qëndrimin, duhet ta trajtojë këtë problem”. Zonja Hyland i bëri këto komente në konferencën e tretë rajonale “Balkanomics” kushtuar rritjes ekonomike
“Shqipëria ka bërë një përparim të shkëlqyer falë edhe SPAK-ut, që është një organizatë, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sondazhet tregojnë se SPAK-u ka fituar respektin e qytetarëve të vendit, sepse ajo ndihmon vendin që të trajtojë çështjet e korrupsionit”, tha zonja Hyland.
SPAK-u, sipas saj, duhet ruajtur dhe forcuar në mënyrë që të dërgohet një sinjal shumë i fortë tek investuesit e huaj dhe tek shqiptarët që të investojnë në vendin e tyre, ndërsa SHBA-të janë të gatshme ta ndihmojnë më tej Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
“Në këtë punë të vështirë, korrupsioni duhet të mbahet nën kontroll. Ligjet duhet të përditësohen dhe të sillen në përputhje me standartet e BE-së, dhe për këto duhet fokus dhe vendosmëri”, tha zonja Hyland.
Ajo theksoi se Shqipëria duhet të punojë fort që të arrijë standardet për t’u bashkuar me BE-në, dhe nga ana e SHBA-së çdo mbështetje shkon në drejtim të këtij integrimi, ashtu si edhe për vendet e tjera të rajonit. “SHBA-të e shohin të ardhmen e këtij rajoni askund tjetër veçse që të anëtarësohet në BE”, shtoi zonja Hyland.
Vendet e Ballkanit perëndimor, sipas saj, duhet së pari të afrohen ekonomikisht mes tyre para se të afrohen me tregun e përbashkët europian. “Vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të shtypeshin, nëse do të përpiqeshin të hynin të vetme në këtë treg të përbashkët, dhe do ta kishin shumë të vështirë që të konkurronin. Ndaj duhen përgatije përmes CEFTA-s, Procesit të Berlinit dhe përmes programeve të ndryshme nga mund të përfitohet shumë”, tha zonja Hyland.
Themeluesi i Platformës Balkanomics, Enio Jaço, njëkohësisht drejtuesi i konferencës së tretë rajonale, thotë për zërin e Amerikës se klima e biznesit në Shqipëri nuk ka ende ndonjë përmirësim të dukshëm.
“Nuk mendoj se ka ndonjë përmirësim të dukshëm për sa i takon klimës së biznesit. Kjo është një nga zonat ku Shqipëria mund të bëjë një përmirësim të fortë. Nuk mendoj se ka progres në lidhje me reforma që duhet të ishin bërë vite më parë. Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur, monopolet dhe konkurrenca e pandershme si dhe ekonomia informale i prek shumë sidomos bizneset e vogla”, tha zoti Jaço.
Ai thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë është e ngjashme me vendet e tjera të rajonit, por mund të jetë më e madhe, pas mundësive për të tërhequr miliarda euro investime që shton tani plani i ri i rritjes i be-së për ballkanin perëndimor, në këmbim të reformave zhvilluese.
“Plani i rritjes dhe këto miliarda euro investime vijnë gjithashtu me kërkesa për reforma. Do të jetë shumë e rëndësishme në dy vitet e ardhshme që Shqipëria t’i ndërmarrë këto reforma. Këto reforma që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me korrupsionin, me parandalimin e pastrimit të parave, si dhe me reforma të tjera që pritet të sjellin investimet e huaja në Shqipëri. Nëse Shqipëria do t’i bëjë këto reforma, rritja ekonomike ndoshta do të jetë edhe dyfishi i kësaj rritje që ka tani”, tha zoti Jaço.
Drejtuesi i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas tërhoqi vëmendjen e konferencës tek kujdesi më i madh ndaj kapitalit njerëzor në vend, ndërsa 13 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri, megjithë mundësitë e mëdha për punësim.
“Mendoj se më shumë po i kushtohet vëmendje migrimit dhe më pak vëmendje po i kushtohet kapitalit njerëzor, një fushë ku mund të ndërmerren veprime, si edukimi i rinisë për t’u afruar me tregun e punës, -tha zoti Salinas - Kapitali njerëor nuk po përdoret si duhet, tha drejtuesii zyrës së ËB, për shembull punësimi i grave pengohet nga shumë angazhime paralele. 25 për qind e rinisë që janë jashtë tregut të punës dhe arsimit ka shumë mundësi që të trajnohen dhe të bëhen punëkërkues.
Në konferencën e tretë rajonale “Balkanomics” u diskutua me shqetësim mbi konkurrencën e pandershme, mungesën e punëtorëve të kualifikuar, si dhe klimën e biznesit. Në këtë konferencë u shqyrtuan edhe potencialet e gjera të diasporës për investime në rajon, pas njohurive të shumta profesionale dhe lidhjet e tyre me tregjet e huaja, si dhe krijimi i kushteve për punësim i atyre emigrantëve që kthehen në atdhe për të jetuar dhe rifutur në tregun e punës.
Ekspertë të ekonomisë, zyrtarë si dhe përfaqësues biznesesh nga vendet e rajonit theksuan se Ballkani perëndimor ka mundësi të mëdha për rritje ekonomike përmes Investimeve Inteligjente dhe përmes përqëndrimit tek reformat e kërkuara nga BE-ja.