Një raketë e lëshuar nga rebelët e Jemenit të mbështetur nga Irani ra në një zonë të hapur në Izraelin qendror të dielën herët duke aktivizuar sirenat për sulme ajrore në aeroportin ndërkombëtar.
Izraeli la të kuptohej se do të përgjigjej ushtarakisht. Nuk pati njoftime për viktima apo dëme të mëdha, por mediat izraelite transmetuan pamje që tregonin njerëz që vraponin drejt strehimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion”.
Aktiviteti në aeroport iu rikthye shpejt normalitetit. Në një zonë rurale të Izraelit qendror mund të shihej zjarr. Ushtria izraelite tha se bëri disa përpjekje për të ndaluar raketën përmes mbrojtjes së saj ajrore, por ende nuk ka përcaktuar nëse shënoi sukses. Ushtria tha se raketa dukej se ishte shpërbërë në ajër dhe se incidenti është ende nën shqyrtim.
Rebelët jemenas, të njohur si grupi Houthi, kanë lëshuar vazhdimisht drone dhe raketa drejt Izraelit që nga fillimi i luftës në Gazë mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, por pothuajse të gjithë ato janë goditur mbi Detin e Kuq.
Në korrik, një dron i prodhuar nga Irani i lëshuar nga Houthis goditi Tel Avivin, duke vrarë një person dhe duke plagosur 10 të tjerë. Izraeli u përgjigj me një valë sulmesh ajrore në zonat e kontrolluara nga militantët Houthi në Jemen, përfshirë qytetin port Hodeidah, një bastion i grupit Houthi.
Kryeministri Benjamin Netanyahu la të kuptohet se Izraeli do të përgjigjet në mënyrë të ngjashme në komentet e tij në një mbledhje të kabinetit pas sulmit të së dielës.