Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) tha të premten se ekzekutoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kryekomisarin e policisë Agim Fejzo, që drejtonte Shërbimet Operacionale në policinë e Gjirokastrës.
Sipas AMP-së kryekomisari i policisë dyshohet për “shpërdorim detyre”.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se “nga hetimet intensive disa mujore u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Sipas AMP-së hetimet janë kryer nga Prokuroria e Gjirokastrës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale. Kryekomisari Fejzo nuk i ka pranuar akuzat.
Rajoni i Gjirokastrës në kufi me Greqinë njihet si një nyje e kontrabandimit të migranëtve të huaj të parregullt.
Fundvitin e shkuar Agjecia e Mbikëqyrjes Policore pezulloi nga detyra nëntë zyrtarë të policisë kufiatre të niveleve të ndryshme me dyshimet për kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”.